Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 15. mars 2022. Lideri i listës së partive shqiptare për zgjedhjet parlamentare “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, Shaip Kamberi, ka vlerësuar se opozita e paorganizuar dhe pa ide, siç e quajti ai, nuk mund ta rrezikojë fitoren e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet e 3 prillit. .
Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PvD) dhe deputet i Kuvendit, në përbërjen e tij të kaluar, thotë se është i bindur se zeniti i Vuçiqit ka kaluar, por se opozita ende nuk ka asnjë shans në këto zgjedhje.
“Mendoj se fitoren e tij nuk mund ta kërcënojë opozita e paorganizuar, e cila nuk ka një platformë konkrete të ideve për të ardhmen e Serbisë, opozitë e cila po përpiqet ta mposht Vuçiqin me nacionalizëm edhe më të madh. Pra, edhe pse protestat mjedisore, të cilat u mbajtën në Serbi pak muaj më parë, treguan një rënie të popullaritetit të Vuçiqit, fitorja e tij nuk rrezikohet, të paktën jo në këto zgjedhje”, tha Kamberi për Albanian Daily News.
Kamberi e shpjegoi kandidimin e tij edhe për një mandat në parlament me detyrimin për të vazhduar luftën politike për barazi dhe të drejtat e shqiptarëve.
– Mbështetja që gjeta kudo për mënyrën se si i përfaqësoja shqiptarët në mandatin e kaluar më frymëzoi të kërkoja një mandat tjetër. Rrethanat e reja gjeopolitike, sipas të cilave Serbia duhet të pozicionohet, nëse jo tani, sigurisht pas 3 prillit, mund të jenë një shans në luftën tonë të drejtë për barazi, liri dhe mirëqenie sociale – thotë Kamberi.