fbpx

Ramadani viziton shkollat në gjuhën shqipe

Bujanoc, 18.8.2020.- Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani, ka vizituar sot Shkollën e Mesme “ Sezai Surroi “ dhe dy shkolla fillore, “ Naim Frashëri “ të qytetit dhe “ Muharrem Kadriu “ në Tërnoc.

Ramadani thotë se është njoftuar për përgatitjet e vitit shkollor në kushte pandemie, duke u siguruar njëkohësisht drejtuesve të këtyre vatrave arsimore mbështetjen e plotë të pushtetit lokal, shkruan FOLonline.

Postimi i plotë i kryetarit Ramadani:

Sot në cilësinë e kryetarit të kuvendit vizitova disa nga shkollat në Komunën e Bujanocit për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vitit shkollor dhe për t’u njoftuar me masat që kanë ndërmarrë sipas udhëzimeve nga Ministria e Arsimit, pas shfaqjes së pandemisë COVID-19.

Gjithë drejtorëve u sigurova se do të kenë mbështjetjen tonë të pa rezervë dhe se bashkarisht do të përkujdesemi që këto vështirësi t’i tejakalojmë, duke pasur gjithmonë parasysh synim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve.

Shkolla e Mesme “Sezai Surroi” gjatë historisë së vet komunës sonë i ka dhënë shumë personalitete të çmuara nga lëmi të ndryshme, andaj duke cituar profesorin e ndjerë Ramadan Ahmeti – Daci i cili pati thënë se “Shkolla e mesme në Bujanoc është një universitet për ne shqiptarët” theksoj se këtë shkollë e kemi obligim ta mbështesim në sferën e edukative arsimore dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Shkolla Fillore “Naim Frashëri” fillimisht është hapur si paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc në vitin 1966/67 , ndërsa mësimet i vijonin tek objekti i vjetër i shkollës, në qender të qytetit ku sot gjendet Shtëpia e Kulturës. Në qershor të vitit 1977 shkolla ishte pavarësuar dhe kishte marrë emrin Shkolla Fillore “25 maji” (tani “Naim Frashëri”). Na gëzoi lajmi se këtë vit shkolla fillore e Bujanocit do t’i formojë tri klasë të para, pas një kohe shumë të gjatë.

Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu” është hapur më 3 janar të vitit 1945 dhe është shkolla e parë shqipe në Komunën e Bujanocit. Nga kjo shkollë më vonë u formua edhe paralelja e ndarë e Shkollës Fillore “Naim Frashëri”. Vlen të theksohet se në vitin 1968 në Tërnoc u themelua edhe Gjimnazi “Sezai Surroi” i cili funksionoi deri më 1974, kur u transferua në Bujanoc. Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu” ishte shkolla më e madhe në Komunën e Bujanocit për nga numri i nxënësve, kurse tani numëron rreth 500 nxënës. Këtë vit shkollor do ta nisin klasën e parë afro 50 nxënës.




Leave a Reply

Your email address will not be published.