fbpx

Mustafa: Ky vit shkollor me libra në gjuhën shqipe

Bujanoc, 21.8.2020. – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka deklaruar sot se shtatori do t’i gjejë nxënësit shqiptarë me libra në gjuhën amtare.

Mustafa ka potencuar se institucioni që ai drejton tashmë ka kryer edhe çështjet procedurale që kanë të bëjnë me pagesat e taksave, transmeton FOLonline.

Kryetari i KKSH-së ka kërkuar që Marrëveshja bilaterale midis Republikës së Serbisë dhe Shqipërisë në lëminë e arsimit të zbatohet në tërësi.

Postimi i Ragmi Mustafës:

SHTATORI ME LIBRA SHKOLLORË SHQIP

Fillimviti i parë shkollor që nisë me libra shkollor në Luginën e Preshevës. Përfundimisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kryer të gjitha obligimet (me pagesën e taksës së përcaktuar) për të siguruar lejimin e teksteve mësimore për shkollat fillore në Luginë nga Shqipëria.

Mbi dy dekada, mungesa e librit i ka vështirësuar filloristët arritjen e standardeve më të larta edukativo-arsimore.

Si pjesë e betejës për arsim cilësor janë lejuar tekstet për shkollat fillore nga Republika e Shqipërisë, në bashkërendim me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe të Serbisë dhe me bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjidhja gjithëpërfshirëse në arsim e Luginës edhe më tej duhet të jetësohet në marrëveshjet bilaterale midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ndërtimit të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë, në procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Kjo edhe është referencë e përshtatshme për barazi. Pa barazi nuk ka paqe. Dhe pa paqe nuk ka arsim.

Falënderoj për angazhimin e jashtëzakonshëm të Ministres, Besa Shahini. Mirëkuptimin e Ministrit, Mladen Šarčević. Për ndihmën financiare të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në mbulimin e një pjese të taksës. Për mbështetjen e madhe të OSBE-së dhe grupin joformal të Ambasadorëve “Miqtë e Luginës”. Ish-kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, për mbështetjen e pakursyer. Për gatishmërinë e procedimit, Shtëpinë Botuese “Albas” nga Presheva. Komisionin e Arsimit dhe të gjithë që këtë ndërmarrje e kuptuan si parësore në angazhimet e përbashkëta.

Keqardhje për gjithë ata drejtues komunash me shumicë shqiptare që nuk e trajtuan arsimin si çështje themelore vlerash dhe cilësie, rrjedhimisht nuk e ndihmuan as edhe financiarisht për kryerjen e obligimeve të taksës, në një moment kur Këshilli Kombëtar Shqiptar është në vështirësi financiare.




Leave a Reply

Your email address will not be published.