Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 10 shtator 2020. Komuna e Bujanovcit kërkon nga Administrata tatimore republikane (AT) t’i lëshoj zyrat në objektin e komunës.
Bëhet fjalë për zyrat e inspeksionit në teren dhe arkivit që Administrata tatimore e Ministrisë së financave të Qeverisë së Republikës së Serbisë i ka shfrytëzuar praktikisht që nga fillimi i punës së ekspoziturës në Bujanovac.
– Kjo është një goditje për shtetin – komentoi për Bujanovaçke një nga punonjësit në Administratën tatimore.
Në shkresën e 8 shtatorit, nënshkruar nga kryetari i komunës Nagip Arifi, nga ekspozitura e AT në Bujanovac kërkohet t’i lëshojë këto hapësira deri të hënën (14 shtator).
Jozyrtarisht në Administratën tatimore konfirmuan për portalin tonë se e kishin marrë kërkesën, pa dhënë sqarime se si do të veprojnë.
Sipas asaj që tha kryeshefi Nasim Rexhepi, Administrata komunale ka nevojë për këto hapësira “sepse nuk ka vend për punëtorët e saj”
– Bëhet fjalë për një zyrë dhe një hapësirë që Administrata tatimore e përdor si arkiv, për ruajtjen e dokumenteve, të cilat, besoj, nuk iu duhen më. Ne kemi nevojë për zyra, sepse nuk kemi vend për punëtorët tanë – thotë Rexhepi.
Përveç këtyre dyve zyrave, Administrata Tatimore përdor edhe disa zyra të tjera në katin përdhes të ndërtesës së komunës.