Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 2 tetor 2020. Deputeti nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) Shaip Kamberi nuk do të jetë pjesë e shumicës së re qeverisëse në Parlamentin Serb, kështu u vendos të enjten në kryesinë e kësaj partie.
Arsyeja pse Kamberi do të veprojë nga opozita është “vazhdimi i politikës diskriminuese shtetërore në lidhje me shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
– Krahas bisedimeve që deputetët shqiptarë patën me Presidentin Aleksandar Vuçiq, me ç’rast ia kishin parashtruar atij një listë të kërkesave specifike për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve, përbërja e re e parlamentit republikan tregon mungesë të vullnetit politik për të zgjidhur problemet jetike të shqiptarëve – thonë në PVD.
Megjithëse tre përfaqësues shqiptarë hynë në parlamentin republikan nga një listë e përbashkët e partive shqiptare, PVD mori vendimin më vete për të mos marrë pjesë në qeveri, duke iu bërë ftesë që njësoj të veprojnë edhe dy deputetët e tjerë shqiptarë.
– PVD u bën thirrje dy deputetëve të tjerë nga lista e përbashkët që të jenë në të njëjtën linjë dhe të angazhohen në formimin e një grupi parlamentar me ato parti që kanë aspirata dhe orientim politik të ngjashëm me shqiptarët e Luginës – raporton PVD.
Gjatë konsultimeve me Presidentin serb Vuçiç për formimin e qeverisë, përfaqësuesit e listës shqiptare, të udhëhequr nga Kamberi, për t’u bërë pjesë e Qeverisë, mes tjerash, kishin kërkuar postin e ministrit në Ministrinë e administratës shtetërore dhe vetadministrimit lokal si dhe pozitën e Presidentit të Trupit koordinues.
Qeveria pritet të formohet në ditët në vijim.