fbpx

PAS FONDIT, EDHE KONSULLATA E SHQIPËRISË NË BUJANOC

Shkruan: N. Stevanoviq

 

Bujanoc, 6 tetor 2020. Ministri i Jashtëm shqiptar Gent Cakaj thotë se së shpejti do të përcaktohet se sa mjete do të ketë në dispozicion fondi shqiptaro-kosovar për shqiptarët në jug të Serbisë, ndërkohë pritet hapja e konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc.

 

Sipas Cakaj, “intervenimi i Shqipërisë dhe Kosovës për të mbështetur financiarisht Luginën e Preshevës nuk është vetëm një detyrë kombëtare, por edhe një veprim i domosdoshëm politik”.

 

– Do të formohet një grup teknik i cili do të ketë dy detyra: ta bëjë vlerësimin e përgjithshëm, se cila do të jetë shuma e mjeteve në dispozicion të fondit, si dhe procedura dhe mënyra e ndarjes së fondeve – thotë Cakaj, raporton Nacionali.info.

 

Sipas tij, rajoni më i pazhvilluar në Serbi është jugu i banuar nga shumica shqiptare.

 

Cakaj theksoi se Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Bujanoc pritet të hapet për herë të parë.

 

– Ne jemi në pritje të përgjigjes pozitive në mënyrë që për herë të parë të hapim Konsullatën e përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc – thotë Ministri.

 

Kur u pyet se cilat janë nevojat kryesore të shqiptarëve në jugun e Serbisë, shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se nevojat nuk do të përcaktohen nga Shqipëria dhe Kosova, por do të përcaktohen në procesin e konsultimeve me autoritetet lokale në Preshevë, Bujanoc dhe me përfaqësuesit shqiptarë në Medvegjë.

 

Ai tha se fondi i përbashkët do të jetë i përhershëm dhe do të ndryshojë sipas nevojës.

 

– Gjithashtu do të përqendrohemi në projekte që lidhen me arsimin dhe forcimin e identitetit kombëtar. Ne duhet ta kthejmë vullnetin tonë për të mbështetur Luginën në një makro-plan të strukturuar, i cili përfshin të gjitha çështjet, nga arsimi te shëndetësia dhe çështje të tjera. Kjo do të bëhet përmes fondit ndërshtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës – thotë ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published.