GJYKATA KA REFUZUAR PADINË KUNDËR VULINIT, MUSTAFA PARALAJMËRON ANKESË

Bujanoc, 9 shkurt 2021. (Foto nga arikivi) -Gjykata e Lartë në Beograd dje refuzoi si të pabazuar padinë e ngritur nga Ragma Mustafa në emër të Këshillit kombëtar të shqiptarëve (KKSH), të cilën ai e kryeson, kundër Ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, për shkak të gjuhës së urrejtjes të përdorur prej këtij të fundit.

Sipas Mustafës, vendimi i Gjykatës përfaqëson legalizimin nga shteti i Serbisë të përdorimit institucional të gjuhës së urrejtjes dhe ksenofobisë kundër pakicave.

– Ne do të ushtrojm ankesë në Gjykatën e apelit. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm për pakicat në Serbi dhe Ballkan. Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të rajonit që të reagojnë ndaj këtij vendimi skandaloz, i cili kërcënon demokracinë dhe stabilitetin e brishtë në rajon, komentoi Mustafa.

Ai kujton se KKSH ngriti padi kundër Vulinit në vitin 2019 kur ky ishte Ministër i mbrojtjes, për shkak të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, për të cilët ai përdori shprehjen pezhorative dhe fyese “Šiptari”, duke “institucionalizuar kështu gjuhën e urrejtjes kundër pakicës shqiptare në Serbi dhe Shqiptarëve në rajon “.

– Ju kujtoj se termi ligjor dhe zyrtar në Serbi është “Albanci/Shqiptarët “. As regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit nuk e ka legalizuar institucionalizimin e gjuhës së urrejtjes kundër pakicave, thotë Mustafa.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *