Bujanoc, 24 maj 2021 – Rreth njëqind qytetarë, përfshirë kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, anëtarët e familjes dhe ish bashkëluftëtarët, të hënën i bënë nderime Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit, në varrin e tij në qendër të Tërnocit.
Ky akt përfaqëson fillimin e Ditëve të Komandant Lleshit, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), i cili ishte vrarë në këtë ditë, 20 vjet më parë, në përfundim të konfliktit me forcat shtetërore të sigurisë.
Sipas programit, do të ketë një vizitë në muzeun kushtuar Qazimit, në Tërnoc dhe një vizitë në vendin e rënies së tij, te Guri i bujve, mbi këtë fshat.
Për sot në ora 17 është paralajmëruar mbajtja e një Akademie përkujtimore në Shtëpinë e kulturës në Bujanoc.