MUSTAFA: KËRKOJMË DIALOG ME QEVERINË E SERBISË MBI “PLANIN 7 PIKËSH”, TË DREJTËN PËR AUTONOMI DHE STATUS SPECIAL

Bujanoc, 3 qershor 2021. – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Ragmi Mustafa i bëri thirrje Gordana Çomiqit, Ministre e të drejtave të njeriut, pakicave dhe dialogut social të ndërmjetësojë në zbatimin e “Planit 7 pikësh” për të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve, miratuar nga Qeveria serbe në vitin 2013.

– Dialogu për të drejtat individuale dhe kolektive, të drejtat për barazi dhe drejtësi, barazi dhe për më shumë liri, e drejta për autonomi dhe status i veçantë nuk mund të shmanget, tha Mustafa.

Në një takim me Ministren Gordana Çomiq në Vranje, ai kërkoi që të fillojë zbatimi i “Planit 7 pikësh” mbi pozitën e shqiptarëve në Serbi, i cili u miratua nga qeveria serbe në vitin 2013.

Zhvillimi ekonomik, integrimi në institucionet shtetërore, e drejta e përdorimit të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare, decentralizimi i gjyqësorit, tekstet shkollore në gjuhën amtare, njohja e diplomave të Kosovës, kultura, informimi, shëndetësia dhe çështjet sociale, ishin temat e prezantuara nga Mustafa në një takim të mbajtur të mërkurën në Vranjë.

– Edhe pse prania e Ministrit Vulin në qeveri flet për mungesën e kapacitetit të saj demokratik, ne presim që zonja Çomiq të ofroj një hapësirë për dialog me përfaqësuesit e shqiptarëve, të cilën Qeveria e Serbisë e bllokon për 8 vjet – tha Mustafa.

Takimi u ndoq nga përfaqësuesit e të gjitha komunave të Qarkut Pçinja, Qytetit të Vranjës, Trupit Koordinues për jugun e Serbisë dhe OSBE-së.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *