Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 2 korrik 2021. – Në një bisedë të drejtpërdrejtë me banorët e disa fshatrave të Komunës Bujanoc, të cilët protestuan sot para ndërtesës së komunës për shkak të mungesës disa ditore të ujit dhe zjarreve në deponi, kryetari Nagip Arifi tha se furnizimi me ujë po normalizohet pas aplikimit të kufizimeve dhe riparimit të prishjes së madhe, i cili është zbuluar së voni të enjten. Mirëpo, në fillim të javës Arifi pohoi se NP “Komunalia” po punon me 100 përqind të kapaciteteve të saj dhe se nuk ka ujë ekskluzivisht për shkak të konsumit të tepruar dhe abuzimit me të.
– Situata sot është më e mirë se dje, dhe se në NP “Komunalia” ka një angazhim maksimal. Ne duam të zgjidhim problemin me furnizimin me ujë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare. Nëse zvogëlojmë keqpërdorimin e ujit, nuk do të ketë probleme në asnjë fshat, përveç Osllarë dhe Bozhinjevc, sepse është e nevojshme që atje të funksionojë një stacion përforcues, për çka është edhe duke u punuar – u tha Arifi të tubuarve në Shtëpinë e Kulturës.
Qytetarët e pakënaqur protestuan para Komunës diç më shumë se dy orë, duke pritur që Arifi të vinte mes tyre, pas së cilës të gjithë shkuan së bashku në Shtëpinë e Kulturës.
Një nga organizatorët e protestës, kryetari i Bashkësisë lokale Bozinjevc, Dalibor Tasiq, në takimin e mbajtur përveç problemit me uj të pijshëm shpalosi një numër problemesh me të cilat përballen njerëzit e Bozhinjevcit ndërsa nga kryetari Arifi mori një premtim se gjithçka që është brenda kompetencave të vetëqeverisjes lokale do të zgjidhet deri të hënën.
Lidhur me ujin, u ra dakord që përfaqësuesit e Komunës dhe bashkësive lokale të shkonin së bashku në EDS, në mënyrë që përfundimisht ta lidhnin në rrjetin elektrik stacionin përforcues tashmë të instaluar.
Një debat dukshëm më të ashpër me kryetarin e komunës dhe drejtorin e “Komunalisë”, Ruzhdi Halilin” patën banorët e Rakocit, duke kërkuar një zgjidhje urgjente të situatës në deponinë e qytetit, e cila po digjet çdo ditë për javë të tëra.
– Përveç ujit, me rëndësi jetike është edhe kualiteti i ajrit, ndërkohë që fëmijët në Rakoc, Bujanoc dhe vendet përreth nuk e kanë atë, sepse helmohet nga tymi i deponisë. Sa për t’u bindur ejani në fshatin tonë gjatë mbrëmjes – nuk mund të merrni frymë – tha nënkryetari i bashkësisë lokale, Dejan Lubisavleviq.
Halili përsëri fajësoi mbledhësit e lëndëve sekondare për zjarrvëniet në deponi, duke thënë se ata madje po sulmonin punëtorët e ndërmarrjes, për të cilat ka prova, dhe e tëra është e raportuar edhe në polici.
– Është vetëm një justifikim. Ju vet po e ndizni ngase nuk keni më hapësirë për t’i depozituar mbeturinat. Përveç kësaj, ju uzurpuat arat tona për deponinë. Ju nuk përmbushët asnjë premtim – thanë Rakocasit, ndërkohë që Halili i mohoi këto akuza.
Të gjitha shpjegimet e Halilit në lidhje me deponinë u refuzuan nga qytetarët, duke i quajtur ato justifikime të kota.
-Nëse dikush i vë zjarrin deponisë, ju duhet ta parandaloni atë. Për të vendosur sigurinë, thirrni policinë, dhe këdo tjetër, kjo është përgjegjësia juaj, varet nga ju. Ashtu si plehrat në rrugë dhe kontejnerët e plotë. Nëse nuk keni enë të mjaftueshme, zbrazini ato më shpesh, dhe jo që qentë endacak të shpërndajnë mbeturina dhe të sulmojnë fëmijët afër kopshteve – tha Dushan Stoshiq nga Bujanoci.
Arifit iu drejtuan gjithashtu edhe banorët e Lilancës dhe Zhuzhelicë, të cilët theksuan problemet afatgjata me furnizimin me ujë.
Ata morën një premtim se vetëqeverisja lokale do të ndërmarrë gjithçka brenda kompetencës së saj –pritet të realizohet projekti tjetër për instalimin e stacionit të pompimit, sepse u konstatua se i mëparshme nuk ishte i përshtatshëm për shkak të ujërave nëntokësore.
Banorët e Lilancës duhet të zvogëlojnë konsumin e tepërt të ujit të pijshëm, domethënë ujitjen e serave, sepse, siç tha kryetari i komunës, ata tashmë kanë një përforcues (buster).