MILLKOVIQ: SECILI MUND TA VERIFIKOJ PUNËN E AZILIT PËR QENT E BRAKTISUR

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9 korrik 2021. – Në dy ditë të aksionit të Stacionit të Veterinës, 24 qen të braktisur u hoqën nga rrugët e Bujanocit dhe vendet përreth. Sipas drejtorit Miodrag Millkoviq, aksioni u zbatua në zonën nga Banja e Bujanocit e deri në Tërnoc, ndërkaq për aksionin e radhës se kur do të dalin në aksion ekipet e Stacionit të veterinës përsëri varet nga vetëqeverisja lokale, e cila, sipas procedurës, lëshon një urdhër për çdo aksion.

– Të gjithë qentë endacakë, pasi kapen, transportohen në azilin e ndërtuar në fshatin Klenik. Aty kryhet pastrimi nga parazitët, vaksinohen kundër tërbimit, sterilizohen, bëhet vendosja e çipave në vesh dhe dhe regjistrohen në databazën e Ministrisë së bujqësisë. Pas rehabilitimit në azil, qentë kthehen në vendin e kapjes. Të gjithë të interesuarit mund ta kontrollojnë punën e azilit – tha Millkoviq gjatë sqarimit të procedurës.

Siç theksoi ai, procedura e përshkruar është paraparë me Ligjin për mirëqenien e kafshëve.

– Të gjitha ndërhyrjet e azilit për qentë endacakë kontrollohen dhe u jepen urdhra për kapje nga inspeksioni komunal i qeverisjes lokale – shtoi Millkoviq.

Qentë e sterilizuar, përsërit ai, sillen ndryshe, domethënë nuk përbëjnë të njëjtin kërcënim për qytetarët, sepse nuk lëvizin më në tufa dhe nuk janë agresivë.

Kontrata e nënshkruar së fundmi ndërmjet Komunës dhe Stacionit të Veterinës vlen një milion dinarë dhe parashikon trajtimin e 145 qenve, ose 6.800 dinarë për çdo qen të kapur e të trajtuar.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *