BOGDAN MATIQ NË BORDIN E UNICEF-IT

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 28. Tetor 2021. – Bogdan Matiq nga Bujanoci u zgjodh anëtar i Bordit rinor të UNICEF-it në Serbi dhe mori titullin Kryekëshilltar i Programit për Rininë.

Vitin e ardhshëm do të punojë që zëri i të rinjve në shoqëri të dëgjohet më shumë për tema që i interesojnë, shqetësojnë apo që mund të ndikojnë pozitivisht me përpjekjet e tyre.

 

– Jam krenar dhe i lumtur. Për herë të parë në histori, Bujanoci ka një përfaqësues të të rinjëve në UNICEF. Në njëfarë mënyre është sublimim i punës sime të deritanishme, edhe pse në fakt jam në fillim – thotë me buzëqeshje Bogdani.

 

Me këtë sukses, Bogdani i solli Bujanocit një njohje të madhe dhe familjes Matiq i dha shumë arsye për krenari.

 

Ai është, meqë ra fjala, nipi i Zhivota Matiqit, korrespondent shumëvjeçar i Politikës beogradase nga Bujanoci, i cili ndërroi jetë në vitin 2019.

 

Bogdani nuk e fsheh kënaqësinë që u zgjodh në bordin e një organizate botërore dhe shpreson që, siç thotë ai, të jetë një këshilltar dhe përfaqësues i mirë i të rinjve të komunitetit të tij, jo vetëm vendor por edhe rajonal dhe ndërkombëtar.

 

– Misioni i UNICEF-it është një pozicion më i mirë dhe të drejta më të mëdha të fëmijëve dhe të rinjve, që diku është edhe synimi im personal, që çdo fëmijë, pavarësisht statusit social apo përkatësisë në një grup të margjinalizuar, të ketë një fëmijëri të lumtur dhe të pabrenga, pa diskriminim dhe stereotipe. – tha Bogdani.

 

Ai dhe 7 kandidatë të tjerë nga qytetet e tjera të Serbisë u zgjodhën në një garë të madhe.

 

Si këshilltar kryesor i Programit Rinor, Bogdani do të avokojë për të drejtat e të rinjve dhe do të inkurajojë bashkëmoshatarët e tij që të bëjnë të njëjtën gjë.

 

– Zëri i të rinjve dhe ajo që ata kanë për të thënë duhet të dëgjohet më fort në shoqëri dhe është obligim i shoqërisë t’i mbështesë ata – përfundon Bogdani.

 

Aktivizimi, njohuritë, shkathtësitë e Bogdanit, si dhe pjesëmarrja në jetën publike, dëshira për të ndikuar te bashkëmoshatarët e tij me shembull personal, për të ndryshuar komunitetin e tij lokal për mirë, ndikuan në vendimin e tij për të aplikuar për ftesën e UNICEF-it për t’u bërë anëtar i Komitetit të Rinisë.

 

UNICEF është një fondacion ndërkombëtar për fëmijët dhe të rinjtë që kujdeset për cilësinë e standardit të tyre të jetesës. U themelua në vitin 1946 në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Tenistja Ana Ivanoviq dhe basketbollisti Aleksandar Sasha Gjorgjeviq janë ambasadorë të UNICEF-it në Serbi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *