fbpx

LUFTA KUNDËR TREGTISË ME NJERËZ: NJË E KEQE E PRANISHME EDHE NË BUJANOC

 

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 10. Nëntor 2021. – Kryqi i Kuq i Bujanocit është zgjedhur koordinator i rrjetit lokal për parandalimin e trafikimit me njerëz, në tubimin e mbajtur sot në Bujanoc.

Për rëndësinë e zgjidhjes së këtij problemi në territorin e komunës së Bujanocit, por edhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve relevante, foli edhe kryetari Nagip Arifi, i cili në fjalën e tij hyrëse shprehu kënaqësinë për nisjen e iniciativës dhe marrjen e hapave konkretë drejt zbatimit të saj.

“Përkrahja e vetëqeverisjes lokale nuk do të mungojë, sepse kjo është një e keqe që është prezente edhe te ne, ndërsa nëse so të punojmë të gjithë bashkërisht do të kemi sukses në atë drejtim”, ka theksuar Arifi.

Iniciativën për formimin e rrjetit lokal për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore e kanë iniciuar Këshillit për të drejtat e njeriut nga Vranja dhe rrjeti AT, për të cilin së fundi ka shkruar Bujanovaçke.

– Programin kundër trafikimit me qenie njerëzore e zbaton Kryqi i Kuq që nga viti 2006 dhe deri më tani rreth 4000 të rinj janë informuar për këtë problem përmes aksioneve dhe punëtorive të ndryshme. Përveç edukatorëve, Kryqi i Kuq është i vetmi që ka një trajner për aftësimin në programet kundër trafikimit – tha Bratisllav Llazareviq, sekretar i Kryqit të Kuq.

Suzana Antiq Ristiq, në emër të Këshillit për të drejtat e njeriut në Vranjë, tha se për shkak të pozitës gjeografike dhe afërsisë së kufirit si dhe varfërisë së njerëzve, është me rëndësi që në Bujanoc të ketë një rrjet lokal dhe një punë e përbashkët për ngritjen e vetëdijes rreth këtij problemi.

– Deri në fund të shtatorit, në Serbi ishin 34 viktima të formave të ndryshme të trafikimit të qenieve njerëzore, duke përfshirë 10 vajza. Gjatë vitit të kaluar, nga 59 viktima, 24 ishin fëmijë, 16 vajza dhe 8 djelmosha, prandaj është e rëndësishme që në këtë proces të përfshihet i gjithë komuniteti. Informacioni dhe njohuritë janë mbrojtja më e madhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore – tha Antiq Ristiq.

Në takim, përveç përfaqësuesve të shoqatave lokale të qytetarëve dhe mediave, morën pjesë edhe përfaqësues të Shërbimit kombëtar të punësimit, OSBE-së, Trupit koordinues dhe Shtëpisë së sigurt nga Banja e Vranjës.

Fillimi i punës së rrjetit lokal pritet vitin e ardhshëm pas miratimit të iniciativës dhe propozimit në Këshillin komunal dhe seancën e Kuvendit të Komunës.




Leave a Reply

Your email address will not be published.