NË MË SHUMË LOKACIONE, AKSIONI I KAPJES SË QENËVE TË BRAKTISUR

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 10. Nëntor 2021. – Pasi Bujanovaçke shkroi për sulmet e qenve endacak dhe kërkesën e banorëve të Rakocit për t’u siguruar fëmijëve një udhëtim të sigurt deri te shkolla në Bujanoc, filloi aksioni i largimit të qenve në disa lokacione në qytet dhe rrethinë.

Kreu i inspeksionit komunal, Metin Ramizi, ka konfirmuar për portalin tonë se ekipet e inspektorëve komunalë dhe Stacioni i Veterinës janë në terren dhe se gjatë ditës qentë endacakë do të kapen në pesë lokacione të qytetit.

Pyetjes sonë nëse ndër to është edhe zona Rakoc-Lagjeja e re, Ramizi u përgjigj “kudo ku qytetarët raportuan probleme”

– Aksioni po zhvillohet te Enti parashkollor, shkollat fillore, në qendër të qytetit dhe në komisariatin policor. Po ashtu do të mbulohen të gjitha lokacionet për të cilat ka raportime të qytetarëve, andaj edhe inspektorët kanë marrë urdhërat përkatës – tha Ramizi.

Siç ka shkruar më herët Bujanovaçke, Inspeksioni komunal është përgjegjës për lëshimin e urdhrave Stacionit të veterinës si ekzekutues, përcaktimin e lokacioneve dhe mbikëqyrjen e aksioneve.

Aksioni i fundit i grumbullimit të qenve endacakë është kryer në fund të muajit gusht.

Pas vendosjes së çipave dhe sterilizimit të qenve, gjë që mund të zgjasë dy deri në tre javë, kafshët kthehen në vendin ku janë marrë.

Kujtojmë se kontrata mes Komunës dhe Stacionit të Veterinës është 1 milion dinarë dhe parasheh trajtimin e 145 qenve.

Deri më tani janë sterilizuar rreth 80 qen, ndërsa drejtori i Stacionit të veterinës, Miodrag Millkoviq, ka theksuar vazhdimisht se pas sterilizimit, qentë nuk janë më agresivë dhe nuk lëvizin në tufa, kështu që nuk paraqesin rrezik për qytetarët.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *