KUJT PO I DUHET DHE KUJT PO I PENGON SHUMICA GJITHËSHQIPTARE NË BUJANOC

Shkruan: Nikolla Llaziq

Bujanoc, 15 Nëntor 2021. – Për gati një vit e gjysmë, këshilltarët e partive serbe në Bujanoc, 13 prej tyre në Kuvendin me 41 ulëse, bojkotojnë punën e Kuvendit lokal, të pakënaqur që për herë të parë në dy dekada nuk janë pjesë e qeverisë në këtë qytet në jug të Serbisë, në trekëndëshin me Kosovën dhe Maqedoninë, transmeton Aljazeera.
Edhe pse kërkesa e pakicës parlamentare për t’u bërë pjesë e shumicës mund të duket paradoksale, duhet thënë se kjo ishte një praktikë e konsoliduar pas të gjitha zgjedhjeve lokale që nga viti 2002 dhe përfundimit të konflikteve të armatosura në rajon, mes kryengritësve shqiptarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe forcave shtetërore të sigurisë.
Nenad Mitroviq, kryetar i këshillit lokal të Partisë Përparimtare Serbe (PPS) në Bujanoc, beson se fakti që pushteti lokal përbëhet vetëm nga partitë që tubojnë shqiptarët, paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e këtij rajoni të rënduar nga konfliktet etnike, që rrjedhimisht çon në ngecie ekonomik.
“Formimi i shumicës shqiptare ka ngjallur sërish tensione në komunë. Ne kemi punuar së bashku për plot dy dekada për vendosjen e paqes dhe dialogut dhe më pas shqiptarët, duke përjashtuar serbët nga pushteti për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 2002, të gjitha këto i hudhën në ujë”, thotë Mitroviq.
Partia e tij me partnerët e koalicionit fituan dhjetë vende në Kuvendin lokal, në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, aq vende sa kishte fituar Partia Demokratike (PD) e kryetarit aktual Nagip Arifi, e cila është më e forta mes partive shqiptare. Menjëherë pas zgjedhjeve Mitroviq dhe Arifi bënë marrëveshje verbale për koalicionin, të cilit do t’i bashkohej Lëvizja për Progres Demokratik (LDP), e cila mbledh kryesisht ish-luftëtarë e OÇPMB-së, me katër këshilltarë.
Megjithatë, puna u prish nga Gent Cakaj, ministri i atëhershëm në qeverinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ftoi në Tiranë të gjithë liderët shqiptarë nga Bujanoci, në mesin e korrikut 2020, me një direktivë të qartë për të formuar një “Shumica gjithëshqiptare” pa pjesëmarrjen e këshilltarëve serbë.
Ata pajtohen “si brirët në thes”
Cakaj ia doli atë që pak kush e besoi. Nën idenë e bashkimit, ai pajtoi liderët shqiptarë të cilët janë unik “si brirët në thes”, nuk flasin me njëri-tjetrin, shpesh akuzohen dhe marrin vendime sipas direktivës së partisë, ndaj ndodh shpesh që vetë këshilltarët ndonjëherë nuk e dinë se për çfarë po votojnë.
Menjëherë më pas, liderët shqiptarë nënshkruan marrëveshjen për formimin e mazhorancës, të cilën e zyrtarizuan në seancën konstituive të parlamentit korrikun e kaluar. Qeveria u formua nga PD e Arifit (10 këshilltarë), Partia për Veprim Demokratik (PVD) e deputetit Shaip Kamberi (tetë këshilltarë), Lëvizja për Progres Demokratik (LDP) e nënkryetarit Shqiprim Musliu (katër këshilltarë) dhe Alternativa për Ndryshimi (tre mandate), e cila shpejt doli nga pushteti dhe tani përfaqëson opozitën më të ashpër parlamentare.
Këshilltarët serbë braktisën punimet e asaj seance, për të mos u kthyer në Kuvend deri më sot, dhe ka të gjitha mundësitë që këtë të mos e bëjnë në një të ardhme të afërt, edhe pse marrëveshja shqiptare ka një klauzolë që parasheh përfshirjen e partive serbe në bashkëqeverisje.
“Dera mbetet e hapur për serbët”, tha presidenti Arifi pak minuta pasi u bë kryetar komune më 22 korrik 2020.
Kjo nuk u realizua ndërsa sipas Mitroviqit, të gjithë banorët e këtij mjedisi multietnik, i cili përbëhet nga shqiptarë, serbë dhe romë, pësojnë dëme të drejtpërdrejta.
“Çfarë do të thotë ndonjë investitor potencial kur të shohë që qeverisja lokale përbëhet vetëm nga një komunitet?! Natyrisht, ai do të thotë se këtu nuk ka kushte për investim dhe pasojën e vendimit të paarsyeshëm të drejtuesve shqiptarë e vuajnë të gjithë qytetarët, ndoshta më së shumti bashkëkombasit e tyre. Shqiptarët dëbuan jo vetëm serbët, por edhe romët, të cilët kanë dy këshilltarë, kështu që ata refuzuan gjysmën e bashkëqytetarëve, fqinjëve dhe miqve të tyre ndërsa kjo nuk mund të jetë mirë”, thotë Mitroviq.
Ai përmend si shembull se sivjet për infrastrukturën lokale janë dedikuar 257 milionë dinarë (2,2 milionë euro), të cilat janë ndarë në bazë të vendimeve të kuvendeve të tri komunave.
“Pyes veten se kush do të propozojë projekte infrastrukturore për serbët që jetojnë këtu, në emër të serbëve, duke qenë se Shaip Kamberi i dëboi serbët nga bashkëqeverisja, duke formuar një shumicë mbarëshqiptare, duke e lënë komunitetin serb, që përbën 42 për qind të popullsisë së komunës, pa përfaqësues në pushtet.””, thotë Mitroviq duke shtuar se shqiptarët i lanë jashtë rrjedhave politike edhe serbët në Preshevën fqinje.
Këtu është koha për një digresion të vogël që mund të shpjegojë shumëçka. Përndryshe, pas zgjedhjeve (të jashtëzakonshme) në Medvegjë të vitit 2019, ku shqiptarët, për dallim nga Bujanoci dhe Presheva, janë pakicë, serbët (lexo PPS) për herë të parë e formuan shumicën pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, të cilët tani nuk e fshehen se ky është shkaku i gjithçkaje që ndodhi më vonë në Bujanoc dhe Preshevë.
Megjithatë, Mitroviq dhe Arifi, gjatë periudhës prej një viti e gjysmë janë takuar disa herë gjatë për të negociuar hyrjen e PPS në pushtet, por gjithçka ka mbetur vetëm në bisedime. Mitroviq është i bindur se deputeti Shaip Kamberi është pengesa më e madhe për këtë, duke pretenduar se Bujanoci në fakt udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kamberi, i cili është opozita e vetme në parlamentin serb me gjashtë deputetë të tjerë, nuk e fsheh se nuk e do PPS-ën në pushtetin lokal. Siç thotë ai, përparimtarët nuk janë të vetmit përfaqësues të serbëve në Bujanoc, duke shtuar se Vuçiqi dhe partia e tij nuk kujdesen fare për bashkëkombësit e tyre, por ekskluzivisht dhe vetëm për interesat e tyre.
Ndërsa ata “serbët e tjerë” në Kuvendin lokal janë ata që janë tubuar rreth PSS me tre mandate, pra Stojança Arsiq, kryetar i komunës së Bujanocit në kohën e luftës (2000/01) dhe një zëvendës kryetar komune në disa mandate, herën e fundit nga viti 2016-2020, pikërisht në kohën kur Kamberi ishte kryetar komune.
Mirëpo, Arsiq nuk e fsheh se nuk e dëshiron pushtetin me asnjë çmim dhe së fundi me Mitroviqin ka bërë marrëveshje për vazhdimin e bojkotit dhe paraqitjen e përbashkët të dy blloqeve politike serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka ndërhyrë në politikën lokale, kështu që në një moment ka vërejtur se “për Shaip Kamberin, Serbia më e mirë është ajo në të cilën nuk do të kishte asnjë serb në pushtetin lokal në Bujanoc, sepse Kamberi i ka dëbuar të gjithë.”. “Ai [Kamberi] mendon se Serbia më e mirë do të ishte Serbia pa Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, Serbia pa Kosovën. Por mirë, ne do të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme dhe do të përpiqemi të fitojmë, kështu që do të shohim”, shtoi ai me tonë më qetësues.
Deputeti shqiptar nuk i ka mbetur borxhli, ndaj është përgjigjur se “me serbët nuk ka problem, por ka me PPS-ën e presidentit të Serbisë”.
“Nuk kam problem me serbët si qytetarë, por nuk pajtohem me politikën tuaj, e cila është e dëmshme edhe për vetë serbët. Presidenti Vuçiq, fakti që unë nuk pajtohem politikisht me ju nuk do të thotë se jam kundër serbëve, por se jam për një Serbi demokratike, moderne dhe të suksesshme”, tha Kamberi.
Mbështetja e misionit të OSBE-së
Nuk është vetëm Vuçiqi që angazhohet për hyrjen e serbëve në pushtetin e Bujanocit. Gjatë një vizite të fundit në Bujanoc, Jan Bratu, kreu i Misionit të OSBE-së në Serbi, i cili ka zyrën e tij në Bujanoc për dy dekada, tha hapur se organizata mbështet qeverinë multietnike.
“Misioni dhe unë personalisht besojmë se është e nevojshme që qeveria të jetë multietnike në mjedise multietnike. Ky është parimi dhe ai parim vlen edhe për komunën e Medvegjës”, deklaroi Bratu pas një takimi me autoritetet lokale dhe përfaqësuesit serbë.
Megjithatë, pavarësisht asaj se çfarë do të ndërmerr Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) për këtë çështje, dmth nëse do ta shfrytëzojë vizitën dhe bisedimet me përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe serbë për të ndikuar në formimin e një qeverie të re multietnike, është një pyetje që ka mbetur pa përgjigje konkrete.
“Kjo është vizita ime e parë në Bujanoc dhe ka shumë tema që po diskutohen. OSBE mund të punojë vetëm në partneritet me institucionet e Republikës së Serbisë, ndaj duhet të punojmë së bashku dhe të diskutojmë të gjitha problemet”, deklaroi Bratu me një fjalor prej diplomati.
Duke qenë se në parlamentin vendor nuk ka serb, kritiku më i madh i shumicës aktuale është Arbër Pajaziti, kreu lokal i Alternativës për Ndryshim, selia e të cilës është në Preshevë. Pajaziti u largua nga qeverisja i pakënaqur me mënyrën e punësimit të kuadrova partiake në administratë dhe ndërmarrjet e entet. Sot ai pretendon se “kjo qeveri do të vetëshkatërrohet” për shkak të parregullsive dhe skandaleve të shumta.
Edhe një tjetër shqiptar, afaristi i këtushëm, Nexhat Behluli, nuk kursen kritikat ndaj bashkëkombasve të tij në pushtet, të cilët i quan “shitës të mjegullës” dhe kërkon të zgjidhin problemet komunale në vend se të merren me “politikë të lartë”.
“Le të dalë dikush nga komuna dhe të tregojë: “Ne këtë e bëmë për qytetarët e Bujanocit!” Nuk ka asgjë për të treguar përveç asfaltit! Por qytetarët e Bujanocit e dinë se paria komunale kanë punuar dhe kanë bërë për vete, për të afërmit dhe miqtë e tyre afarist”, nuk i kursen Behluli.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar ai kishte deklaruar se “është e dëshirueshme që Bujanoci si komunë multietnike të ketë një qeverisje multietnike kur e dimë se PPS është bartës i qeverisjes republikane, pa ndihmën e të cilit komuna jonë mund të ketë probleme serioze sepse siç ne e dimë, buxheti i varfër i komunës sonë plotësohet me mjete nga buxheti i Republikës”.
Meqënëse shqiptarët e bënë shumicën dhe kur pavarësisht klauzolës, u bë e qartë se nga hyrja e serbëve në pushtet nuk do të kishte asgjë, Behluli tha se PPS nuk duhet të insistojë që tani të bëhet pjesë e shumicës.
“Që nga futja e sistemit shumëpartiak në Serbi, partitë shqiptare në Bujanoc kanë pasur gjithmonë shumicë, por pala serbe gjithmonë ka qenë e përfshirë në qeverisje. Pas këtyre zgjedhjeve të fundit, megjithatë, për herë të parë partitë shqiptare në Bujanoc formuan qeverisjen lokale pa serb. Dhe çfarë po ndodh? PPS po proteston dhe po kërkon që kjo të ndryshoj ashtu që edhe ata të bëhen pjesë e qeverisjes lokale. Unë mendoj se kjo është e gabuar. Qeveria aktuale është ngulfatur nga korrupsioni dhe në shërbim të interesave të grupeve të caktuara, në dëmë të interesit tëi qytetarëve”, tha Behluli.
Asnjë investim shtetëror në jug
Nga ana tjetër, përparimtarët dhe socialistët kritikohen ashpër nga Partia Radikale Serbe (SRS) e Vojisllav Sheshelit, nga e cila derivuan Vuçiq dhe PPS, për shkak të bojkotit të kuvendit lokal. Në fjalimet e tyre të shpeshta para opinionit, radikalët i kushtojnë vëmendje të veçantë kushteve të vështira të jetesës në fshatrat serbe.
“Ata nuk kanë as kanalizim, as ndriçim publik, as asfalt, ndaj është e qartë se njerëzit që u votuan në zgjedhjet e fundit lokale nuk po bëjnë thuajse asgjë për t’u mundësuar një jetë normale. Banorët e fshatrave serbe nuk përfitojnë nga këshilltarët në kuvendin komunal. Ata thjesht po shikojnë se si të përfitojnë nga buxheti i komunës dhe të luftojnë për interesat e tyre personale. Në një luftë të tillë ata më së paku mendojnë për problemet e përditshme të banorëve të fshatrave të Bujanocit”, kanë thënë radikalët.
Por qëndron fakti se nuk ka investime në Serbinë që shtrihet në jug të Vranjës (lexo në Bujanoc dhe Preshevë, vende me shumicë shqiptare). Vuçiq në vitet e fundit ka paralajmëruar privatizimin e Banjës së Bujanocit, si dhe rihapjen apo shitjen e ish-gjigantëve ekonomikë në nivel të RSFJ-së – Thertores së Jugokopit dhe Gumoplastikës në Bujanoc. Aktualisht nuk ka asgjë konkrete nga këto premtime.
Megjithatë sido që të përfundoj saga rreth shumicës, mbetet një fjali që shpesh dëgjohet nga qytetarët në rrugët e Bujanocit:
“Varfëria dhe mjerimi janë problemi ynë më i madh i të gjithë neve – i shqiptarëve, romëve dhe serbëve”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *