fbpx

RASHITI: NUK MUND TA DREJTOJ EKONOMINË E BUJANOCIT NJË ARKITEKTE NGA VRANJA

 

Bujanoc, 24 Nëntor 2021. – Këshilltari i Odës Ekonomike të Serbisë në Bujanoc, Lulzim Rashiti, kritikoi ashpër punën e autoriteteve të komunës për ekonomi dhe investime. Ai nuk përmendi askënd me emër, por tha se ekonomia lokale nuk mund të drejtohet nga një arkitekte.
Nëse dihet se Fazila Azemoviq është Shefe e Zyrës për zhvillim ekonomik lokal dhe Drejtoratit për Investime dhe Zhvillim, nuk është e vështirë të konkludohet për aludimin e Rashitit.
“Marre për rininë, e hala ma marre për disa ekonomistë të rinj të komunës tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Siç tha ai, “po shofim vetëm asfalt, vetëm projekte të dështuara, dhe projekte që na lënë në të kaluarën”.
“Vet fakti që për komplet bujqit e komunës prej mjeteve të komunës ju ndahen mjete të përgjithshme në vlerë mbi 60,000.00 euro, ndërsa në anën tjetër një arkitekte nga Vranja, promovohet kaq shumë për arritjen e përfitimit të dy projekteve për koperativa bujqësore në vlerë mbi 130,000.00 euro dhe atë vetëm për dy qytetarë që menaxhojnë këto koperativa, kjo është për keqardhje”, thotë Rashiti.
Ai shtoi se është i kënaqur me subvencionet dhe donacionet që vijnë në Bujanoc, por pyet pse nuk ka punë për ekonomistët e rinj në komunë.
“Ku janë ekonomistët e zyrës për zhvillim ekonomik lokal, që në menaxhimin e zyrës kanë një arkitekte? Ku janë ekonomistët që dokumentacioni i bizneseve kontrollohet prej një arkitekte, kur konkurojnë nëpër projekte ekonomike lokale?”, pyet Rashiti.

Ai rikujton se vetëm këtë muaj janë mbajtur pesë panaire:
“Ku janë komuna dhe arkitektja nga Vranja që nuk mendojnë për sipërmarrësit, kur e dimë se ata pak afarist që kanë mbetur janë shpresa e vetme për zhvillimin e komunës sonë? Por jo, nuk janë aty, sepse mendojnë vetëm për asfalt dhe për të shkruar projekte, sepse aty është përfitimi më i madh”, deklaroi ai.
Ai konkludoi se komunës i duhet menaxhmenti që të menaxhojë në bazë të parimeve të shëndosha ekonomike, e jo juristë dhe arkitektë.




Leave a Reply

Your email address will not be published.