SULEJMANI TRANSFEROHET NË SPITALIN E VRANJËS

Bujanoc, 30 Nëntor 2021. – Preshevari Lulzim Sulejmani i cili i mbijetoi aksidentit tragjik të trafikut në Bullgari, me ç’rast nga zjarri që kaploi autobusin humbën jetën 46 persona, arriti të hënën në Serbi ndërsa shërimi i tij do të vazhdoj në Vranjë.
Sulejmani ka thënë për Tanjug se aksidenti ka qenë i tmerrshëm dhe se i është falënderues Zotit që është në mesin e shtatë personave që kanë shpëtuar.
– Falënderoj mjekët e spitalit bullgar që na pritën dhe u kujdesën mirë për ne dhe falënderoj Ambasadorin Joviq i cili më vizitoi në spital dhe më solli në Serbi. Faleminderit Serbisë dhe spitalit të Vranjës që më pritën mirë – tha Sulejmani.
Babai i tij, Ali Sulejmani, ka falënderuar ambasadorin e Serbisë në Bullgari, Zhelko Joviq, i cili, siç tha ai, ka bërë më të mirën dhe ka qenë në çdo moment pranë familjes.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
Dr. Sasha Djorgjeviq nga Qendra Shëndetësore e Vranjës deklaroi se Sulejmani është pranuar në repartin e kirurgjisë në gjendje të përgjithshme stabile dhe me konstatim të kënaqshëm lokal.
Ai shtoi se pacienti e ka përballuar mirë udhëtimin nga Sofja dhe shprehu shpresën se do të shkojë në shtëpi në ditët në vijim.
Më herët sot në Sofje ambasadori i Serbisë në Bullgari ka biseduar me Sulejmanin, vëllanë dhe babanë e tij.
– Sulejmani ka dalë nga spitali Pirogov në Sofje dhe kemi hyrë në Serbi. Me ndihmën e madhe të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë dhe me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Selakoviq, Ambasada e Serbisë në Sofje organizoi transferimin e Sulejmanit nga spitali në Bullgari në Qendrën Shëndetësore Vranjë – tha Joviq.
Ai shtoi se Sulejmani në Vranjë, sipas protokolleve shëndetësore, do të qëndrojë në kontrolle më të shkurtra, dhe se shpreson që së shpejti të jetë në shtëpi me më të dashurit e tij.
– I uroj shërim sa më të shpejtë, të jetë sa më shpejt me të fejuarën e tij, e cila po ashtu sot doli nga spitali, të vazhdojë jetën e përbashkët në lumturi dhe ta harrojë sa më shpejt atë që ka ndodhur – tha Joviq.
Sulejmanit iu dogj pasaporta dhe Ambasada në Sofje i lëshoi një dokument udhëtimi sa për t’u kthyer në shtëpinë e tij, në Serbi.
Të paktën 46 persona humbën jetën në një aksident automobilistik në autostradën Sofje-Bllagojevgrad, pranë fshatit Bosnek, të mërkurën e kaluar.

Aksidenti ka ndodhur kur ka marrë flakë një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut, i cilipo kthehej nga Stambolli.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *