fbpx

MOSTRANSPARENCA NË KOMUNËN E BUJANOCIT HYRJE NË KORUPSION TË KAMUFLUAR

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 7 dhjetor 2021. – Mostransparenca në punën e një komune apo të çfardo pushteti tjetër ofron mundësi për korrupsion dhe që korrupsioni të mbetet e kamufluar, i tha Bujanovaçkes Nemanja Nenadiq, drejtor i programit të Transparency Serbia, raporti i të cilit e rendit Bujanocin të fundit në mesin e 145 qeverisjeve lokale në të gjithë vendin.
– Nëse nuk publikohen arsyet e marrjes së disa vendimeve, apo edhe vendimet e marra nga autoritetet komunale, atëherë kjo e bën të pamundur që të ketë reagim nga qytetarët, biznesmenët dhe të gjithë ata që mund të tregojnë për paligjshmëri të mundshme. Kështu fshihet një vendim që ka pasoja të dëmshme ose i shkon për shtati interesave private dhe kështu kalon pa u vërejtur – thotë Nenadiq.
Rezultati i anketës së portalit tonë përputhet me të gjeturat e Transparency Serbia, që tregon se shumica dërrmuese e qytetarëve të anketuar (93 për qind) besojnë se vetëqeverisja lokale në Bujanoc nuk është transparente.
Sidomos në fushën e buxhetit dhe investimeve, gjegjësisht në mënyrën se si shpenzohen paratë publike.
– Përgjithësisht me Bujanocin, i cili ka një rezultat jashtëzakonisht të dobët në raportin tonë, nuk është problem vetëm në arritjen e disa standardeve që i kemi vendosur, por edhe në përmbushjen e obligimeve ligjore. Transparenca buxhetore është detyrim ligjor. Minimumi është, për shembull, një debat publik për projektbuxhetin – thekson Nenadiq.
Siç tha Nenadiq, pushteti komunal në Bujanoc e përmbushi atë “minimum të minimumit” ligjor në vitet e kaluara duke caktuar një debat publik për qytetarët nga ora 19 në ditën e Shën Nikollës, ndërsa vitine kaluar pandemia e Covid – 19 shërbeu si justifikim për të mos patur fare debat publik mbi buxhetin.
– Komuna duhet të përfshijë qytetarët, t’u tregojë se çfarë planifikojnë, cilat investime, në mënyrë që të shihet se çfarë mendojnë qytetarët për të, për t’i caktuar disa nga prioritetet. Komunat që dëgjojnë më shumë qytetarët u lënë atyre mundësinë që në fillim të vitit të propozojnë disa nga projektet e tyre. Në fund, ajo që komuna dëshiron të përfshijë në investime duhet të jetë në përputhje me ndonjë plan zhvillimor të përcaktuar, e jo që ndërtimi, asfaltimi apo kanalizimi të bëhet siç i bie në mend dikujt, në këtë apo atë fshat – thekson Nenadiq.
Mostransparenca në procesin e dhënies me qira të pronave komunale dhe objekteve afariste, siç thotë ai, është vënë re së fundmi, ndërsa Bujanovaçke rikujton se menaxhmenti i Shtëpisë së kulturës vazhdimisht ka refuzuar të na japë informacion se cilët janë qiramarrësit e lokaleve më atraktive dhe me çfarë çmimi janë dhënë ato, për të cilën gjë tani më kemi shkruar.
Vendimi i fundit i Komunës së Bujanocit për sa i përket transparencës, për Sali Salihin – shefin e kabinetit të kryetarit Nagip Arifi, është rezultat i “qeverisjes së mëparshme”, që përbëhej nga partitë (PVD, LPD), me të cilët Arifi tani është në koalicion.
Duke mbështetur pretendimet e tij për përgjegjësinë ekskluzive të qeverisë së kaluar dhe të partnerëve aktualë të koalicionit, Salihi në një përgjigje me shkrim për Bujanovaçke ka thënë se raporti i Transparency Serbia i referohet vitit 2020.
Për kujtim, qeveria e re në komunë u formua në korrik të vitit të kaluar, kështu që Partia Demokratike e Arifit, si partia më e fortë në mazhorancën qeverisëse, kishte pesë muaj kohë për të ndikuar në rezultatin final – katastrofik.
Për më tepër, të dhënat mbi transparencën e vetqeverisjeve lokale mbi shpenzimin e parave nga buxheti, vendimarrjes, shfrytëzimit të pronës komunale dhe shpërndarjen së parave përmes konkurseve publike janë mbledhur edhe këtë vit.
“Kur të bëhet hulumtimi i radhës, Bujanoci sigurisht që do të renditet më mirë se vitin e kaluar”, ka thënë Salihi në përgjigjen e portalit tonë.
Deputeti dhe kreu i Përparimtarëve të Bujanocit Nenad Mitroviq beson se fakti që komuna e Bujanocit në raportin e fundit “Indeksi i Transparencës së Pushtetit Lokal LTI 2021” është në fund, në listën prej 145 pushteteve lokale në Serbi, tregon se si pushteti lokal e drejton komunën dhe si i trajton qytetarët.
– Fakti që jemi në fund për sa i përket transparencës nuk më habit aspak. Duke pasur parasysh se pushteti lokal në fakt është një grup i interesiti të udhëhequr nga Nagip Arifi dhe Shaip Kamberi, sigurisht që nuk do të jetë transparent”, ka thënë Mitroviq për Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *