fbpx

ARIFI: SHUMË TË RINJË BRAKTISIN BUJANOCIN PËR MOSNJOHJE TË DIPLOMAVE TË KOSOVËS

Bujanoc, 14 dhjetor 2021. Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka takuar në Prishtinë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe, sipas një komunikate të kabinetit të Kurtit, e ka njoftuar atë se Serbia po përpiqet të ndryshojë strukturën demografike të Bujanocit dhe Preshevës duke fshirë shqiptarët nga regjistrat.

– Në Serbi ka ligj për shlyerjen e shtetasve nga regjistri nëse nuk janë në adresat e vendbanimit që kanë deklaruar, por fshirja apo pasivizimi bëhet në mënyrë selektive, ndërsa në këtë më së shumti e pësojnë shqiptarët. Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet synimin për të sjellë ndryshime demografike në komunat me shumicë shqiptare – tha Arifi.

Ai ka theksuar edhe problemin e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga ana e Serbisë, e cila, siç tha ai, pengon punësimin dhe nxit migrimin e ekspertëve në vendet perëndimore.

Kurti tha se në takimet që ka pasur në Bruksel me palën serbe, por edhe në të gjitha takimet dhe konferencat e tjera ndërkombëtare, vazhdimisht ka ripërsëritur se për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë, është i nevojshëm reciprociteti për të drejtat e pakicave në Rajon.

“Brukseli insiston në çështjen e diplomave, çertifikatave, patentë shoferëve, por Serbia ende refuzon t’i njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai theksoi se qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ofruar ndihmë për popullin shqiptar, duke kërkuar nga krerët shqiptarë që të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë veprimet politike.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *