Bujanoc, 30 dhjetor 2021. Me rastin e shpalljes së grevës së punëtorëve në Entin parashkollor të Bujanocit “Gëzimi ynë”, Organizata sindikale e Administratës komunale të Bujanocit bëri të ditur se mohon “dezinformatat lidhur me pagesën e ndihmës solidare punëtorëve në entet publike të financuara nga Buxheti i Komunës së Bujanocit”.
Po e transmetojmë pa ndërhyrje Deklaratën e nënshkruar nga kryetarja e Sindikatës, Radica Iliq.
Gjatë auditimit të punës së institucioneve publike të financuara nga Buxheti i Pushtetit lokal, Institucioni shtetëror i auditimit deklaroi se pagesa e ndihmës solidare për përmirësimin e pozitës materiale dhe sociale të punëtorëve në entet publike: Enti parashkollor “Gëzimi ynë” Bujanoc, Qendra kulturore -sportive “Rinia” Bujanoc, Organizata Turistike e Bujanocit, EP “Vuk Karaxhiq” Bujanoc dhe Biblioteka “14 Nëntori” Bujanoc, është kryer pa bazë ligjore dhe pa u mbështetur në rregullat tjera përkatëse.
Njëkohësisht, në të njëjtin raport për punëtorët në administratën komunale është theksuar domosdoshmëria e harmonizimit të kritereve dhe masave për realizimin e kësaj të drejte.
Sindikata e Administratës komunale të Bujanocit ka harmonizuar kontratën kolektive individuale me punëdhënësin me kontratë të veçantë kolektive dhe ligjin që rregullon të drejtat dhe obligimet e ndërsjellta.
Duke pasur parasysh këtë, punëdhënësi – Administrata komunale e Bujanocit, ka aprovuar dhe paguar për të punësuarit ndihmë solidare në shumë prej 24.000 deri në 30.000 dinarë.
Duke pasur parasysh se entet publike nuk mund ta realizojnë pagesën e ndihmës solidare sipas bazave nga kontratat e veçanta kolektive që vlejnë për ato aktivitete, për këtë arsye të gjitha enteve publike në komunën e Bujanocit nuk u është paguar ndihma solidare.
Duhet theksuar se sipas Konkluzionit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, të gjithë punëtorëve iu është paguar shuma prej 3000 dinarë për fëmijë deri në moshën 15 vjeçare në emër të një urimi në para vitin 2022.
Për sa më sipër, besojmë se nuk ka arsye për të ndërprerë punën, pasi komuna nuk bie kontratave të veçanta kolektive për entet publike.