Bujanoc 21 janar 2022. – Uji i pijshëm, me të cilin qytetarët e komunës së Bujanocit furnizohen nga NP “Komunalia” i nënshtrohet kontrollit përkatës dhe është plotësisht i rregullt, kanë thënë të premten përgjegjësit nga NP “Komunalia”.
Ky reagim pasoi nga disa zëra që thonin se uji nga rrjeti nuk i plotësonte standardet e përcaktuara dhe nuk ishte për përdorim, gjë që “Komunalia” e mohon me vendosmëri.
– I njoftojmë qytetarët, veçmas fshatin Nesalcë, se uji i pijshëm është i cilësisë së lartë. Ne marrim përgjegjësinë e plotë për këtë konstatim – thonë nga kjo ndërmarrje komunale.
Në njoftim theksohet se uji që pinë banorët lokal kontrollohet rregullisht nga Enti për mbrojtjen e shëndetit publik në Vranjë.
– Të gjitha dezinformatat se uji nuk bënë të pihet ka për qëllim vetëm të njollosë gjithçka që bën NP “Komunalia”, thuhet në njoftim.