Bujanoc 29. janar 2022. Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, të premten e ka njoftuar ministrin e Kosovës, Liburn Aliun, gjatë vizitës së tij në Bujanoc, se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar në shumë fusha, thuhet në njoftimin e komunës, të ëshuar pas takimit.
“Kryetari Arifi e njoftoi ministrin për zhvillimet e fundit në komunën e Bujanocit, si dhe për problemet aktuale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Bujanocit ndërsa nga ministri Aliu kërkoi që të shfrytëzojë autoritetin e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës për zgjidhjen e problemeve. Çështja e pasivizimit të vendbanimit, mosnjohja e diplomave dhe diskriminimi në shumë fusha të tjera duhet të ngrihen në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Komunës shprehu shqetësimin e shumë qytetarëve shqiptarë për masat antikovid që ka marrë Kosova, e që po e pamundësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve, duke kërkuar sërish që ky vendim të rishqyrtohet.
Arifi dhe Aliu diskutuan gjithashtu se si do të shfrytëzohen 2 milionë eurot që ka ndarë qeveria e Kosovës për Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën, si dhe projektet e mundshme në infrastrukturë, arsim, sport, kulturë dhe art, të cilat mund të financohen me këto mjete.
“Ministri Aliu shprehu interesim për të nisur sa më shumë projekte të përbashkëta ekonomike në komunat shqiptare në Luginë, duke hapur mundësi të reja dhe për të ndërlidhur potencialin e të rinjve në Luginë dhe në Kosovë”, thonë në komunë.
Aliu ka vizituar edhe shkollën e mesme Sezai Suroi në Bujanoc, ku drejtori Zejni Fejzullahu e ka njoftuar me procesin arsimor, kushtet në këtë shkollë dhe problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në fushën e arsimit në Bujanoc.
Para se të arrinte në Bujanoc, ministri kosovar për mjedisin, planifikimin hapsinor dhe infrastrukturë ka qëndruar në Preshevë, për të cilën portali ynë tashmë ka shkruar.