MINISTRI I KOSOVËS NË PRESHEVË: PRESHEVARËT DHE BUJANOCASIT KANË KONTRIBUAR PËR KOSOVËN EDHE NË LUFTË

 

Bujanoc 28. janar 2022. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, tha sot në Preshevë se qytetarët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, gjithmonë kanë kontribuar për Kosovën, pra edhe në luftë.

Ai ka theksuar se me kontributin e tyre “është fituar liria të cilën sot e gëzojnë qytetarët e Kosovës”, njofton portali prishtinas GazetaEkspress.

Pas takimit me kryetaren Ardita Sinani, ai tha se Kosova e ka për detyrë dhe “obligim që t’ua kthejë mirësinë vëllezërve nga këto tri komuna”.

Siç tha ai, për këtë obligim i qeverisë së Kosovës është që të kujdeset për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe të përpiqet t’i inkurajojë shqiptarët që të qëndrojnë në ato komuna.

“Është detyrë e jona që në aspektin politik, në negociata, në takimet me palën serbe Republika e Kosovës të ngrejë gjithmonë çështjen e të drejtave të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, gjithmonë duke pasur parasysh parimet e reciprocitetit”, tha Aliu.

Sinani u shpreh e kënaqur për vizitën dhe përshëndeti, siç tha ajo, praktikën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për vizita të vazhdueshme të ministrave të saj.

– Më në fund, pas shumë pengesave nga autoritetet shtetërore, në komunën e Preshevës erdhi miku ynë, vëllai ynë nga Presheva – tha Sinani.

Sipas saj, vizitat e ministrave të Kosovës, përveç thellimit të bashkëpunimit të “liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës me autoritetet kosovare, i shërbejnë edhe vetëdijesimit për çështjen e shqiptarëve në ato tri komuna”.

Aliu është pritur në Preshevë me tapet të kuq dhe flamurin shqiptar në ndërtesën e komunës.

Pas Preshevës ai ka shkuar në Bujanoc në takim me kryetarin Nagip Arifi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *