fbpx

PROKURORIA E LARTË NË NISH KA NGRITUR AKTAKUZË KUNDËR KAMBERIT

Bujanoc, 28 janar 2022 – Departamenti Special për luftimin e korrupsionit në Prokurorinë e lartë publike në Nish ka ngritur aktakuzë kundër deputetit Shaip Kamberi për tejkalim të ndarjeve buxhetore gjatë viteve 2018 dhe 2019, kur Kamberi ishte kryetar i Bujanocit.

Deputeti dhe kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) thotë se dje është njoftuar për aktakuzën, të cilën e konsideron si presion nga shteti.

“A po ke presion, shantazhe dhe kërcënime nga shteti?”
Kjo është pyetja që viteve të fundit më kanë shtruar më së shumti të afërmit, miqt, mediat, qytetarët etj. Nuk kam dashur që personalja ime të mbivendoset ndaj temave dhe interesat kolektive. Prandaj edhe jam deklaruar se nuk kam presion, ndonëse të gjithë janë dëshmitarë se ka vite që segmentet e kontrolluara nga pushteti në Serbi, si mediat, përbaltin vazhdimisht punën dhe emrin tim. E paralelisht është aktivizuar edhe ajo që quhet gjyqësor dhe drejtësi, duke “hetuar” punën time ndër vite”, thotë Kamberi lidhur me aktakuzën.

Ai ka shpjeguar se kemi të bëjmë me realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin e komunës së Bujanocit, të përcaktuara me aktet për buxhetin komunal për vitet 2018 dhe 2019.

“Prokuroria propozon ngritjen e akuzës duke u bazuar në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve. Në fakt, edhe më 2018 edhe më 2019, për projektet në fjalë, është bërë pagesa për punët e kryera vetëm në lartësinë e mjeteve të cilat kanë qenë të planifikuara me buxhet. As edhe një cent i vetëm më tepër” -, thekson Kamberi.

Ai shtoi se projekte të tilla realizohen në faza, sepse, siç thotë ai, komunat e pazhvilluara në Serbi nuk kanë buxhet të madh për të realizuar brenda një viti projekte me vlerë më të madhe, kështu që ato realizohen në faza – dy apo më shumë vite.

Mirëpo, Prokuroria zbuloi se unë e kam rënduar buxhetin e Komunës “duke marrë obligime në shumën më të madhe se fondet e planifikuara”, thotë Kamberi.

Sipas tij, Po qe se do të nënshkruanin kontrata e planifikonin punë vetëm me mjetet vjetore që i kanë në dispozicion, asnjë prej Komunave të Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), ashtu edhe asnjë prej Komunave me të ardhura të përafërta nuk do të mund të realizonin kurrë asnjë projekt madhor në të mirë të qytetarëve. Që e bën ndjekjen e Prokurorisë absolutisht absurde”.

Është interesante, shton Kamberi, se si në shtetin ku lidhjet e mafias dhe krimit të organizuar me pushtetin po bëhen përditshmëri, Prokuroria Speciale merret vetëm me mua për një praktikë që ekziston dhe realizohet në shumë komuna të Serbisë.

Ai theksoi se “kjo po bëhet disa muaj para zgjedhjeve parlamentare”.

“Kjo tregon në fakt se këtu nuk po trajtohet puna ime si kryetar i Bujanocit, por si opozitar në Kuvendin e Serbisë. Këtë hall ka regjimi i Vuçiqit. Nuk e ka hall korrupsionin. Madje halli i tij është pse s’jam i korruptuar. Duke qenë autoritar, ai e ka hall kundërshtimin tim. Pamundësinë që e ka parë këto vite sa jam deputet për të më heshtur dhe nënshtruar”, shprehet Kamberi.

Ai porositi se “nuk mund ta heshtin, ta ndalin veprimin e tij e as ta nënshtrojnë “.

Kamberi nuk është i vetmi zyrtar i PVD-së, me punëne të cilit po merret nga Prokuroria gjatë drejtimit të vetëqeverisjes lokale.

Javën e kaluar, i njëjti departament kundër korrupsionit ngriti aktakuzë kundër Ardita Sinanit, kryetare e PVD-së në Preshevë, për të cilën tashmë ka shkruar Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published.