Bujanoc, 4 shkurt 2022. Nga e shtuna (5 shkurt) për hyrje në Kosovë nuk do të kërkohet vërtetimi mbi marrjen e tri dozave të vaksinës kundër Covid – 19.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se është rekomanduar lehtësimi i masave kundër Covid-19, të cilat duhet të miratohen të premten dhe të hyjnë në fuqi të shtunën, raportojnë mediat kosovare.
Për të hyrë në Kosovë do të kërkohet vërtetimi mbi marrjen e dy dozave të vaksinës testi PCR për ata që kanë marrë vetëm një dozë.
Ky propozim u mirëprit nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila së bashku me liderët e tjerë politikë shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë, kundërshtuan masat e mëparshme.
Shqyrtim të këtij vendimi kërkuan edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe deputeti Shaip Kamberi.
Latifi bëri të ditur se masat e reja parashikojnë që ora policore të fillojë në mesnatë dhe të zgjasë deri në orën 05:00, ndërsa gastronomitë do të punojnë deri në orën 23.