OSMANI KËRKON UNITET TË PARTIVE SHQIPTARE NË SERBI

Bujanoc, 10. shkurt 2022. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë thirrje për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, tha kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Enver Ramadani pas takimit me Osmanin në Prishtinë.

– Presidentja Osmani u bëri thirrje përfaqësuesve politikë në Luginë që të bashkëpunojnë dhe të bashkohen sepse mendon se vetëm kështu mund të sigurohet trajtimi i duhur i problemeve të shqiptarëve në Luginë. Ajo po ashtu rikonfirmoi qëndrimin e saj dhe qëndrimin e të gjitha institucioneve të vendit se shqiptarëve të Luginës do t’u sigurohet përkrahje e vazhdueshme – deklaroi Ramadani pas takimit të djeshëm.

Ai shtoi se Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, “në vazhdimësi e ngrit çështjen e Luginës, me qëllim të ndërkombëtarizimit të problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

– I falënderova institucionet e Kosovës për kontributin e tyre për Luginën e Preshevës. Gjithashtu kam kërkuar që Lugina e Preshevës të jetë në agjendën e Republikës së Kosovës dhe të punojmë së bashku për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve – ka bërë të ditur Ramadani në Facebook.

Në delegacionin nga Bujanoci, i cili u prit nga Presidentja e Kosovës, ishin edhe këshilltarja dr. Afërdita Mustafa, sekretarja e Kuvendit Nermine Aliji – Ademi dhe shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Fisnik Behluli.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *