MUSTAFA: ASNJË SHQIPTAR I PUNËSUAR NË BANJËN E BUJANOCIT

Bujanoc, 11 shkurt 2022. Si shembull i diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe përfaqësimit minimal në institucionet shtetërore, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve Ragmi Mustafa përmend Entin shëndetësor në Banjën e Bujanocit, në të cilën thotë se nga 51 punonjës asnjë nuk është nga komuniteti shqiptar.

Mustafa thotë gjithashtu se në vitin 2009, nën presionin e politikanëve lokal dhe punëtorëve të Banjës, është ndërprerë privatizimi i këtij enti shëndetësor për rehabilitim.

– Nga 150 të punësuar në Banjë të Sijarinës në Medvegjë dhe Banjë të Bujanocit, vetëm 4 janë shqiptarë. Në Banjë të Bujanocit nuk ka asnjë shqiptar, ndërsa nga 99 punëtorë në Banjë të Sijarinës, vetëm katër janë shqiptarë. Këto qendra rehabilitimi janë në pronësi publike – thotë Mustafa.

Për shkak të frikës nga “shqiptarizimi i Bujanocit”, shton ai, një numër i konsiderueshëm i kompanive shoqërore janë në proces të likuidimit për më shumë se 15 vjet.

– E gjitha për shkak të frikës nga kapacitetet investuese të diasporës së komunitetit shqiptar – shton Mustafa.

Prej disa ditësh presidenti i KKSH-ës ka paraqitur të dhëna për numrin e shqiptarëve të punësuar në institucionet shtetërore, duke treguar kështu, siç shprehet ai, se nuk ka integrim, por vetëm diskriminim.

Struktura nacionale e punëtorëve në Banjë është kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, në gusht të vitit 2021, por punonjësit e institucionit nuk kanë dashur t’i dërgojnë këto të dhëna për arsye, siç kanë thënë, mbrojtjes së privatësisë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *