KAMBERI SËRISH NË GARË PËR DEPUTET

Bujanoc, 17. shkurt 2022. Kryetari i Partisë për veprim demokratik (PVD), Shaip Kamberi do të jetë sërish kandidat i kësaj partie për deputet.

Kamberi bëri të ditur të mërkurën se vendimin për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 3 prillit e ka marrë Këshilli qendror i PVD-së.

“Marr përgjegjësinë dhe angazhohem për të vazhduar politikën që kam udhëhequr në parlament. Beteja politike dhe parlamentare për liri, demokraci, drejtësi dhe barazi vazhdon”, tha ai.

Ai ka falënderuar të gjithë që, siç thotë ai, e kanë mbështetur masivisht për mandatin e ri.

Në zgjedhjet e vitit 2020, Kamberi ishte i pari në listën unike të partive shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva.

Lista “Lugina e bashkuar” fitoi më pas tre mandate parlamentare dhe Kamberi ishte edhe kreu i grupit parlamentar të përbërë nga deputetë shqiptarë dhe përfaqësues të PAD-it, të Sulejman Ugljaninit nga Sanxhaku.

Për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme ende nuk është arritur marrëveshje, sepse Alternativa për ndryshim kërkon që kandidati i tyre të jetë në vendin e parë në listën zgjedhore, për të cilën tani më ka shkruar Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *