Shkruan: N Stevanoviq
Bujanoc, 22. shkurt 2022. Klubet sportive nga Bujanoci dhe Presheva, të cilat tubojnë shqiptarët, po kërkojnë që ata të garojnë nën kujdesin e federatave sportive të Kosovës, tha për Bujanovaçke Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH).
Mustafa këtë kërkesë e bëri në një takim të hënën në Preshevë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çekun.
– Kërkesa që klubet sportive të Luginës së Preshevës të përfshihen në kalendarin e Republikës së Kosovës, dhe federatat përkatëse, vjen drejtpërdrejt nga sportistët shqiptarë të Luginës. Është iniciativë e të gjitha klubeve dhe sportistëve – thotë Mustafa.
Duke sqaruar kërkesën, ai thotë se brenda Bashkimit Evropian ka rajone që janë të lidhura dhe që kanë gara të përbashkëta sportive.
Ai shtoi se do të jetë në dorën e klubeve që të vendosin nëse do të marrin pjesë në garat e organizuara nga federatat në Serbi.
Ndër klubet që dëshirojnë të garojnë në Kosovë janë FK Tërnoci nga Tërnoci, anëtar i Zonës “Jug” të Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), si dhe FK Lugina nga Presheva, e cila garon në Ligën e Qarkut të Pçinjës.
Presidenti i KKSH thotë se ka më shumë klube – në basketboll, karate, pingpong, shah e shumë të tjera, si dhe sportistë individualë që do të dëshironin të garojnë në Kosovë.
Sipas Mustafës, me ministrin kosovar është diskutuar edhe iniciativa për formimin e një “trupi koordinues për strategji dhe bashkëpunim në mes të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe përfaqësuesve institucionalë të Luginës dhe Qeverisë së Kosovës”.
– Ndër iniciativat janë muzeu digjital i trashëgimisë kulturore shqiptare në Luginë, zbatimi i Memorandumit të nënshkruar në mes KKSH-së dhe Ministrisë së Kulturës së Kosovës, si dhe hapja e Institutit për Kulturën Shqiptare në Luginë – tha Mustafa. .
Sipas tij, me Çekun është rënë dakord që në një të ardhme të afërt të takohen sërish për të konkretizuar iniciativat e dakorduara gjatë vizitës së tij.
Në takimin në zyrën e KKSh-së në Preshevë morën pjesë edhe kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani, zëvendësi i saj, Ragmi Mustafa dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Naser Nuredini.