Bujanoc, 23. shkurt 2022. Në 24 orët e fundit infeksioni me Covid – 19 është konfirmuar edhe te 16 banorë të Bujanocit, thuhet në raportin e fundit nga Shtëpia e shëndetit në Bujanoc.
Në dy ditë, 28 banorë rezultuan pozitivë me këtë virus, ndërsa gjatë shkurtit u regjistruan 601 raste.
Gjatë ditës së djeshme në Ambulancën Kovid janë ekzaminuar 93 pacientë, prej të cilëve 23 fëmijë.
Numri i përgjithshëm i ekzaminimeve të kryera në muajin shkurt është 3850, ndërsa në mesin e pacientëve ishin 2972 të rritur dhe 878 fëmijë.
Sipas raportit të Entit për mbrojtjen e shëndetit publik, në rrethin e Pçinjës janë testuar 314 persona, ndërsa prania e virusit është konfirmuar te 74 persona, përkatësisht në 23.5 për qind të mostrave të analizuara.
Numri më i madh i rasteve positive është regjistruar në Vranjë – 37, pasuar nga Bujanoci me 16, Presheva me 6 dhe Vlladiçin Hani me 5.
Bosilegradi dhe Trgovishtja kanë nga 4, ndërsa Surdulica me 2 raste është komuna me numrin më të vogël të rasteve të konfirmuara.
Në spitalet Kovid të Vranjës janë shtruar 62 pacientë, ndërsa me oksigjen janë duke u trajtuar 43 pacientë.
Gjatë 24 orëve të fundit për trajtim spitalor janë shtruar 4 pacientë ndërsa 7 janë lëshuar nga spitali.