fbpx

QYTETARËT DHE BUJANOVAÇKE NË TË NJËJTËN DETYRË

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 28. shkurt 2022. Përmes portalit Bujanovaçke, qytetarët e Bujanocit kanë vënë në dukje problemet me të cilat ballafaqohen në komunë në tetë muajt e fundit, në kuadër të projektit “Media for all”, të cilin portali ynë po e realizon me mbështetjen e Zyrës Britanike.

Duke plotësuar sondazhet e publikuara në portalin tonë, lexuesit identifikuan gjithçka që i shqetëson, nga pamundësia për të gjetur punë, emigracioni i të rinjve, politika e dobët lokale, e deri te vetëdija e pamjaftueshme ekologjike dhe për mbrojtjen e mjedisit, por edhe varfëria dhe pagat shumë të ulëta.

Rezultatet e anketës “Cilat janë problemet më të mëdha në komunën e Bujanocit” tregojnë se papunësia e lartë është problem që kërkon zgjidhje urgjente, thuhet në anketë.

Si shkaktar kryesor të papunësisë, lexuesit tanë përmendën mungesën e investimeve dhe qëndrimin indiferent të Qeverisë qendrore ndaj pushtetit lokal.

“Papunësia. Asnjë fabrikë nuk është hapur vitet e fundit, edhe pse Vuçiq ka premtuar riaktivizimin e Gumoplastikës, por asgjë nuk është bërë”, është vetëm një nga vargani i përgjigjeve të ngjajshme.

Investimi në fabrikat që kanë pushuar së punuari në vitet 1990, Jugokop dhe Gumoplastika, të cilat do të hapnin vende të reja pune dhe do të punësonin qytetarë, janë pjesë e zgjidhjes së problemit të papunësisë, sipas përgjigjeve të të anketuarve.

Ajo që qytetarët tanë e shohin problematik është punësimi partiak dhe sipas mendimit dhe komenteve të tyre, kjo është pjesa ku nevojiten ndryshime rrënjësore.

“Qyteti ynë po vdes sepse në postet tona ka njerëz që nuk e kanë idenë dhe që punojnë atje sepse janë anëtarë partie apo të afërm të dikujt”, komentoi lexuesi.

Si zgjidhje konkrete për ndërprerjen e punësimit partiak, propozimet varionin nga “futja e administratës së dhunshme”, apo “dhënia e mundësisë të rinjve të bëjnë diçka nga ky qytet”, deri te “futja e një sistemi për spastrimin e komunës nga diploma partiake false dhe të blera , dhe më pas të punësohen persona profesionistë”.

Bujanovaçke më herët ka shkruar për konkurse të kurdisura dhe punësim të familjarëve të zyrtarëve lokal.

Pse të rinjtë po largohen nga Bujanoci është një pyetje që nuk la dyshime për lexuesit tanë. Shumica prej rreth 150 të anketuarve përmendën papunësinë dhe mungesën e vendeve të reja të punës si arsyet kryesore të emigrimit të të rinjve, së bashku me situatën e keqe ekonomike, punësimin partiak dhe pushtetin lokal diskriminues.

Deri sa pushteti lokal e sheh si shkaktar të emigrimit të të rinjve mosnjohjen e diplomave të Kosovës, ndërkaq një pjesë e opozitës ia kalon përgjegjësinë pushtetit për shkak se “po ia pamundëson të rinjve që të qëndrojnë dhe punojnë këtu”, për pasojë gati se 80 për qind e të anketuarve mendojn të largoheni nga Bujanoci.

Ata që ende jetojnë në Bujanoc shpresojnë në një perspektivë më të mirë, investime dhe hapje fabrikash.

Në anketën për punën e vetëqeverisjes lokale, lexuesit tanë si një nga problemet më të mëdha e përmendën mostransparencën e saj, ndërsa qytetarët shprehën pakënaqësi të veçantë në pyetjen se si dhe për çfarë shpenzohen paratë publike.

Rreth 93 për qind, e qindra pjesëmarrësve në anketë, besojnë se qeverisja komunale nuk është transparente, dhe se ky doli të ishte vlerësim i drejtë, nëse dihet se Komuna e Bujanocit, sipas hulumtimit të organizatës Transparency Serbia, është në pjesën e fundit të listës për jotransparencë.

“Për kë dhe për çfarë po i shpenzoni paratë e popullit (paratë tona)?” – është një nga pyetjet e lexuesve që sublimon mendimin e shumicës dërrmuese të pjesëmarrësve në sondazh mbi transparencën e pushtetit lokal.

Gati 55% besojnë se ka më pak transparencë në fushën e investimeve, ndërsa 37% e qytetarëve janë të pakënaqur me buxhetin.

Një tjetër problem, në listën e problemeve në Bujanoc dhe rrethinë, sipas shumicës së qytetarëve, ishte gjendja në ekologjinë.

Pothuajse 85% e qytetarëve janë shprehur se pushteti lokal nuk kujdeset fare për mjedisin, ndërsa një pjesë mendojnë se përgjegjësia duhet ndarë në masë të barabartë, mes qytetarëve dhe vetëqeverisjes lokale.

Për rreth njëqind të anketuar, deponitë (43.6%) dhe mbeturinat në rrugë (32%) janë problemet kryesore mjedisore që shkaktojnë dëmin më të madh në mjedis, ndërsa 18.4% e pjesëmarrësve mendojnë se deponitë ilegale janë shkak për shqetësim dhe për gjendje të keqe në ekologji.

Rezultatet e sondazhit për ekologjinë tregojnë se lexuesit tanë janë të informuar për gjendjen dhe problemet e mjedisit, por se zgjidhja e këtij problemi kërkon një përfshirje më të madhe të pushtetit lokal dhe vetë qytetarëve, gjë që do të ndihmonte shumë, të paktën sipas lexuesve tanë, edukimi dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e ekologjisë, seminare ekologjike apo aksione të organizuara pastrimi.

Sondazhi “Çka do të ndryshonit sikur të ishit në pushtet në Bujanoc” tregoi se ndryshimet në fushën e ekologjisë, urbanistikës, qeverisjes dhe punësimit janë prioritet për qytetarët tanë.

“Qyteti të pastrohet rregullisht nga mbeturinat”, “të rregullohet rrjeti i ujësjellësit në qytet sepse tubat vazhdimisht po plasin”, “që çdo fshat të ketë ujë gjatë verës” janë vetëm disa nga vendimet që lexuesit do t’i kishin marrë menjëherë.

Vëmendjen e lexuesve e tërhoqi edhe sondazhi për standardin e jetesës dhe të ardhurat e shpenzimet mujore.

Bujanocasit më së shumti shpenzojnë për ushqim, ndërsa nuk mbeten para për kulturë dhe udhëtime, ndërkaq pas pagesës së faturave, për nevoja të tjera u mbetet ose “pak” ose “zero e dyfisht”.

Nëse dihet se sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare neto në komunën e Bujanocit është 49.700 dinarë, me një rritje të përditshme të çmimeve të ushqimeve për të plotësuar nevojat elementare të jetesës, atëherë nuk është për t’u habitur që shumica e lexuesve të anketuar “nuk e mbajnë mend” herën e fundit të kenë dalë në ndonjë restorant për drekë ose darkë.




Leave a Reply

Your email address will not be published.