fbpx

HIQET ORA POLICORE NË KOSOVË

Bujanoc, 2. mars 2022. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lehtësimin e masave kundër përhapjes së virusit Covid – 19 dhe ndër ndryshimet më të rëndësishme është heqja e orës policore.

Ora policore nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit ka qenë në fuqi për një periudhë të gjatë kohore, ndërsa pas shfuqizimit, do të hiqet orari i kufizimeve deri në ora 23.00 për gastronominë, mirëpo mbetet në fuqi përdorimi i 50 përqind të kapaciteteve në ambiente të mbyllura.

Sipas vendimit të ri, nga 7 marsi do të lejohen të punojnë klubet e natës, dasmat, organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, ahengjeve familjare deri në 50 për qind të kapacitetit, raportojnë mediat e Prishtinës.

Kushti është që ata që marrin pjesë në këto ngjarje të kenë një certifikatë vaksinimi me dy doza ose një dozë të vaksinës Johnson & Johnson.

Hyrja në Kosovë lejohet me certifikatë vaksinimi me dy doza ose një dozë të vaksinës Johnson & Johnson, por jo më shumë se 12 muaj pas marrjes së dozës së fundit.

Nëse qytetarët kanë certifikatën e një doze të vaksinës, duhet të kenë një test negativ PCR jo më të vjetër se 48 orë.

Në Kosovë mund të hyjnë edhe personat që janë shëruar nga infeksioni me COVID-19 në tre muajt e fundit ose kanë dëshmi se kanë marrë dozën e tretë të vaksinës.

Qytetarët e Kosovës që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë PCR test negativ do të duhet të izolohen për një periudhë shtatëditore.




Leave a Reply

Your email address will not be published.