fbpx

DIALOGU NË BUJANOC: ARRIHET MARRËVESHJE PËR PUNËSIM

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 11. mars 2022. Ministrat e Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në jug të Serbisë janë dakorduar sot në Bujanoc për planin dhe afatet për punësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. “Për tre muaj do të takohemi sërish për të parë sa njerëz kemi punësuar”, tha ministrja Gordana Çomiq. Kryetari i Këshillit kombëtar të shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, tha se thelbi i dialogut është zbatimi i planit 7 pikësh, i cili do të çonte në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

– Në takimin e sotëm në fakt është treguar vullneti politik për jetën e shqiptarëve dhe serbëve dhe për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Kjo është e tëra që është shënuar në Planin 7-pikësh, në Kushtetutë dhe në Ligjin për këshillat kombëtarë. Dialogu i sotëm rezultoi me marrëveshje për planin dhe kohën në të cilën do të kemi shqiptarë të punësuar në institucionet e Republikës së Serbisë, sepse ata e kanë vendin aty dhe sepse kjo është jo vetëm me ligj, por edhe krejtësisht e natyrshme – tha ministrja për të drejtat e njeriut dhe të pakicave si dhe të dialogut social, Gordana Çomiq.

Brenda dhjetë ditëve do të formohet një grup i përkohshëm pune për t’u marrë me sugjerimet, vërejtjet dhe kërkesat e KKSH-së në lidhje me punësimin e shqiptarëve.

Grupi punues do të përbëhet nga përfaqësues të Trupit Koordinues dhe ministrive (për të drejtat e njeriut, të drejtësisë, punës, ndërtimit) të cilët morën pjesë në dialogun e sotëm.

– Grupi i punës do të shohë se çfarë mund të bëjë, si mundet dhe kur mundet, dhe pas tre muajsh do të takohemi përsëri për të parë se nëse kemi bërë diçka nga zbatimi në praktikë i sundimit të së drejtës, sa njerëz kemi punësuar dhe nëse ka rezultate të dialogut që jemi duke e zhvilluar – tha Çomiq.

Mustafa ka theksuar se pala shqiptare ka treguar konstruktivitet në përcaktimin e afateve kohore për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, që është një fushë, siç tha ai, në të cilën “numrat janë të frikshëm”.

– Në prokurori nuk ka asnjë shqiptar. Në gjyqësor në nivel kemi kemi rreth 12 për qind të punësuar nga komuniteti shqiptar dhe në nivel rrethi 2.7 për qind. Sot në krye të institucioneve shëndetësore në Bujanoc dhe Preshevë nuk ka shqiptarë. Kemi vullnetin që të bashkëpunojmë dhe t’i trajtojmë këto tema së bashku – tha Mustafa.

Thelbi i dialogut, shtoi Mustafa, është zbatimi i Planit 7-pikësh.

Plani ishte hartuar nga liderët politikë të shqiptarëve ndërsa në atë dokument në të vërtetë janë renditur të gjitha fushat në të cilat është e nevojshme të përmirësohet pozita e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, si arsimi dhe integrimi.

– Dokumenti në fjalë është miratuar nga Qeveria qysh më 4 korrik 2013, ndërkaq nga atëherë e deri më tani kanë kaluar shumë vite. Thelbi i këtij dialogu është implementimi i atij plani me qëllim të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve – tha Mustafa.

Në pyetjen e Bujanovaçkes nëse rezultati i zgjedhjeve të ardhshme mund ta ndryshojë marrëveshjen e sotme, ministrja Çomiq u përgjigj se Serbia është e përkushtuar për sundimin e ligjit, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe se nuk ka zgjedhje që mund ta ndryshojnë këtë.

Në dialogun e sotëm, Qeveria e Serbisë u përfaqësua edhe nga ministrja e punës, punësimit, veteranëve dhe çështjeve sociale – Darija Kisić, Mirsad Gjerlek, sekretar shtetëror në Ministrinë e shëndetësisë dhe përfaqësues të Ministrisë së drejtësisë dhe Ministrisë së ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës.

Në anën tjetër, përveç Mustafës, ishin edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe njeriu i parë i Kuvendit të Bujanocit, Enver Ramadani.

Në dialog ka marrë pjesë edhe shefi i misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Bratu, i cili ka insistuar ashtu si Mustafa se zbatimi i planit 7-pikësh është vendimtar.

Ai ka vlerësuar se pas shumë vitesh stagnim, Qeveria e Serbisë edhe një herë po tregon se është e përkushtuar për këtë.

Në takimin e parë në kuadër të dialogut në nëntor të vitit të kaluar tema ishte arsimi për të cilën ka shkruar Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published.