Shkruan: Nexhat Behluli
Bujanoc, 31. mars 2022. Votues, jini më të zgjuar se fëmijët e vegjël!
Të dielën mbahen zgjedhjet në Serbi.
Në zgjedhje do të dalin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës ndërkaq politikanët tanë u kujdesën që votuesit të mos mërziten – madje na ofruan dy lista për të zgjedhur mes Shaipit dhe Shqiprimit.
Unë ende mendoj se do të ishte më mirë të ishin dakorduar dhe të performonin bashkë, por proverbi thotë se kotë i flet të shurdhëtit dhe kot i vizaton të verbtit …
Koha dhe matematika e thjeshtë do të tregojnë se kush kishte të drejtë.
Megjithatë, ky nuk është i vetmi gabim që po bëjnë politikanët tanë në këto zgjedhje.
Mësova se po agjitojnë mes mbështetësve të tyre që të dielën e 3 prillit të votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale, të mos votojnë ose të vendosin fletë të pavlefshme në kuti…
Në këtë mënyrë, politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës edhe një herë tregojnë se sa të papjekur dhe të paaftë janë për t’u marrë me politikë për të mirën e popullit.
Sepse, nëse mendoni se me bojkotimin e zgjedhjeve për President të Serbisë, po tregoni se nuk e njihni shtetin e Serbisë, po silleni si ai që mbyllë sytë dhe mendon se nuk e sheh njeri!
Duam ta pranojmë apo jo, ne jetojmë në Serbi. Është një shtet në të cilin edhe presidenti edhe parlamenti kanë rolet e tyre. Të gjitha këto kanë ndikim në jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kështu që nuk ka arsye të heqim dorë nga e drejta për të ndikuar në zgjedhjen e tyre.
Nuk është e parëndësishme se kush do të jetë president i Serbisë, as serbët e as ne.
Në zgjedhjet e së dielës, më 3 prill, nuk po votojmë vetëm për ata që nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë do të shkojnë për një rrogë të madhe, por për të rregulluar jetën tonë.
Dhe kjo nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit.
Nëse do të mbetet ai që kishim ose të vie një tjetër, për ktëë vendosni ju.
Por vendosni!