KRZ: NUK KA PËRSËRITJE TË ZGJEDHJEVE NË BUJANOC

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 15. prill 2022. Komisioni republikan i zgjedhjeve (KRZ) ka vendosur që të mos anulohet votimi dhe të përsëriten zgjedhjet në dy vendvotime, në Tërnoc dhe në Zarbinc, në komunën e Bujanocit. Anulimin e ka kërkuar Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, të cilit i mungojnë disa qindra vota për mandatin deputet.

KRZ-ja hodhi poshtë të dy kundërshtimet e këtij koalicioni ndaj vendimeve të Komisionit komunal të zgjedhjeve (KKZ) të Bujanocit, i cili fillimisht konstatoi se kërkesat për anulimin e zgjedhjeve në vendvotimin nr. 6 në Tërnoc dhe në vendvotimin nr. 13 në Zarbinc ishin të pabazuara.

Koalicioni shqiptar ka të drejtë të ankimojë vendimin e KRZ-së në Gjykatën Administrative dhe këtë të drejtë do ta shfrytëzojë, siç kanë paralajmëruar më herët.

Si arsye për anulimin e votimit në Zarbincë, koalicioni deklaroi se ky vendvotim është mbyllur para orës 20:00, ndërsa për qendrën e votimit në Tërnoc kanë deklaruar se korrektësia e kutisë së votimit nuk është përcaktuar në përputhje me ligjin, d.m.th. në prani të votuesit të parë.

Në këto qendra votimi kanë të drejtë vote 2307 qytetarë, ndaj Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës e ka parë përsëritjen e zgjedhjeve si shans për të përmirësuar rezultatin zgjedhor, pra për të siguruar të paktën një mandat deputeti.

Sipas vlerësimeve të tyre, për këtë u mungojnë rreth 300 vota.

Zgjedhjet parlamentare do të përsëriten të shtunën (16 prill) në 54 qendra votimi në Serbi, duke përfshirë një në komunën e Preshevës.

Është vendvotimi në fshatin Buhiq, ku të drejtë vote kanë vetëm 289 votues.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *