fbpx

DITA BOTËRORE E LIRIRËS SË MEDIAVE: NGULFATJA E LIRISË SË MEDIAVE RREZIKON TË DREJTAT E TJERA TË QYTETARËVE

 

Bujanoc, 3. maj 2022. – 3 Majin – Ditë botërore të lirisë së mediave, edhe këtë vit Serbia po e shënon në terr mediatik, paralajmërojnë shoqatat e gazetarëve, duke kërkuar që Qeveria të zgjidhë në mënyrë efektive rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të informojë publikun për këtë.

Sipas Indeksit botëror të lirisë së mediave për vitin 2022, Serbia renditet e 79-ta dhe është në kategorinë e vendeve problematike. Nga vendet e rajonit, vetëm Shqipëria është renditur më keq se Serbia, e cila është e 103-ta, sipas një raporti të Reporterëve pa kufij.

Serbia është renditur më keq nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, megjithëse u ngjit me 14 vende më lartë, në krahasim me raportin e vitit 2021.

Në vendet “problematike” përfshihen Sllovenia -54, Maqedonia e Veriut – 57, Mali i Zi – 63 dhe Bosnja e Hercegovina e 67-ta.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia është në kategorinë e “kënaqshme” dhe renditet e 48-ta.

Sindikata e degës së kulturës, artit dhe medias “Nezavisnost” dhe Koalicioni për lirinë e medias paralajmërojnë opinionin se rënia e lirive të medias në Serbi rezulton në rrezikimin e të gjitha të drejtave të tjera, përfshirë të drejtat e punës, por edhe i të gjitha standardeve të qytetërimit të shoqërisë moderne demokratike.

– Pa lirinë e medias dhe profesionin e pavarur gazetaresk, nuk është e mundur të dëgjohet zëri i të abuzuarëve, apo atyre që janë të ekspozuar ndaj presionit dhe represionit. Kur kemi terr mediatikë, të gjitha të drejtat e njeriut janë të rrezikuara dhe askush nuk mund të ndihet i sigurt, thuhet në deklaratë.

Asociacioni i pavarur i gazetarëve të Serbisë (APGS) theksoi se skena publike në Serbi dominohet nga lajme të rreme dhe informacione propagandistike, krijuesit e të cilave më së shpeshti janë në pozita të pushtetit politik, dhe se në narrativën politike është normalizuar gjuha e urrejtjes.

– Bllokada e informacionit e bën të pamundur nxitjen e ndërgjegjësimit kritik. Informacioni është një levë kyçe për manipulimin e opinionit publik. Punonjës të një propagande të tillë janë edhe kuazi mediatikë dhe antigazetarë të shumtë që në fakt janë zëdhënës të politikave populiste dhe antidemokratike, thuhet në njoftimin e APGS.

Ata shtojnë se me kalimin e viteve janë mbytur mediat që funksionojnë në përputhje me kodin e profesionit, dhe sulmet ndaj gazetarëve u paraprijnë provokimeve dhe etiketimeve të gazetarëve nga zyrtarë shtetërorë apo politikanë vendas, gjë që nxit dhunuesit dhe dhunën ndaj gazetarëve profesionistë.

– Mos lejoni që në mjediset tuaja lokale, të fuqishmit e atyshëm të vendosin rregullat e lojës në komunitetet tuaja, por mbështetni gazetarët lokal që e bëjnë punën e tyre në përputhje me standardet e profesionit, dhe jo me interesat e qendrave të pushtetit. Mediat e lira japin pushtet në duart e qytetarëve, sepse ata janë kontrollues të vendimmarrësve, thuhet në deklaratë.

Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 3 Maji – Dita Botërore e lirisë së shtypit, u themelua si një kujtesë për qeveritë e të gjitha shteteve se ato janë të detyruara të respektojnë dhe mbështesin të drejtën e lirisë së shprehjes të garantuar me nenin 19 të Deklaratës universale për të drejtat e Njeriut.




Leave a Reply

Your email address will not be published.