fbpx

TËRNOCI MBANË ÇELËSIN E KONSTITUIMIT TË KUVENDIT DHE FORMIMIT TË QEVERISË SË SERBISË

Bujanoc, 2. maj 2022. – Partia Socialiste e Serbisë (PSS) ka kërkuar nga Komisioni komunal zgjedhor (KKZ) që të anulojë zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc, pas të cilave Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fitoi një deputet. Nëse KKZ-ja pranon ankesën e PSS-së, formimi i parlamentit dhe i qeverisë së re serbe mund të vonohet.

Socialistët kanë ushtruar ankesë të dielën, më 1 maj, ndërkaq KKZ-ja në përbërjen e zgjeruar ka një afat ligjor prej 72 orësh për t’u deklaruar.

“Në rast se KKZ-ja e miraton atë, Koalicioni i Shqiptarëve do të ankohet në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve (KRZ). Nëse ajo konfirmon vendimin e KKZ-së, ne do të ankimojmë sërish në Gjykatën administrative. Mirëpo, e gjithë kjo vonon miratimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare nga 3 prilli, e me këtë edhe formimin e parlamentit dhe qeverisë”, thonë për Bujanovaçke në Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës.

Nuk është për t’u habitur nga këto veprime të PSS-së, nëse dihet se me hyrjen në parlament të Shaip Kamberit, kreut të Koalicionit të Shqiptarëve, kjo parti humb një mandat (tani ka 32).

Sipas ligjit, KRZ-ja, brenda dhjetë ditëve nga dita e publikimit të raportit të përgjithshëm mbi rezultatin e zgjedhjeve, kandidatëve për deputetë u ndanë mandatet me aktvendim, sipas renditjes së tyre në listën zgjedhore. Seancën e parë të Kuvendit Popullor e cakton kryetari i përbërjes së mëparshme, në mënyrë që seanca të mbahet jo më vonë se 30 ditë nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Më pas konfirmohen mandatet e deputetëve, ndërsa afati për formimin e Qeverisë është 90 ditë nga konstituimi i parlamentit.




Leave a Reply

Your email address will not be published.