Bujanoc, 10. maj 2022. Për momentin, buka dhe prodhimet e bukës në Bujanoc mund të blihen me çmimet e vjetra, por për shkak të rritjes së çmimit të miellit dhe lëndëve të para, është e mundur që së shpejti të ketë rritje të re të çmimit, tha për portalin tonë Elhan Çoçaj, pronar i njërës prej furrave në Bujanoc
.
Ministria e Tregtisë njoftoi rritje të çmimit të bukës “Sava” (500g TIP 500) për tre dinarë, e cila tani do të kushtojë 49 dinarë.
– Po e rrisim çmimin e bukës për tre dinarë, sepse që nga miratimi i dekretit qeveritar në nëntor të vitit të kaluar, deri më sot janë rritur çmimet e të gjitha inputeve – tha për RTS Urosh Kandiq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit.
Në furrën e Bujanocit “Çoçaj”, çmimet e bukës nga mielli TIPI 500 variojnë nga 40 deri në 60 dinarë, varësisht nga pesha, dhe kështu ka ndodhur që nga muaji nëntor, kur ka qenë edhe rritja e fundit e çmimit.
Krahas çmimit të ri të bukës, Ministria njoftoi edhe vazhdimin e vlefshmërisë së Dekretit për kufizimin e çmimit të bukës edhe për 90 ditë.