BOBI DRAGANOVIQ NGA BUJANOCI NXORRI NË ANKAND PAISJET E YJEVE MË TË NJOHURA TË SPORTIT

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 13. maj 2022. Sllobodan Bobi Draganoviq (34) nga Bujanoci, i cili jeton dhe punon në Beograd, nxori në ankand një koleksion mbresëlënës të fanellave të yjeve të basketbollit dhe futbollit nga Serbia dhe vendet e tjera, në një aksion për të mbledhur para për shërimin e voglushit Vukan Stoilkoviq nga Vranja.

Ai pak ditë më parë në faqen e Limundo ka hapur ankandin për shitjen e fanellave të yjeve të basketbollit si Vasa Miciq, Jan Veseli, Fernando De Colo dhe Marko Guduriq ndërksa ofron edhe fanella yjeve të Partizan-it dhe Crvena Zvezda-s.

Ish hendbollisti i BSK-së së Bujanocit, tani trajner i njohur i fitnesit dhe kondicionit, ka shfrytëzuar njohjet e tij në botën e top sportit dhe me ndihmën vetëmohuese të miqve dhe sportistëve ka marrë fanella, atlete dhe kapele vaterpolistësh, që përmes shitjes së tyre ta ndihmoj Vukanin e vogël.

– U bëj thirrje të gjithë njerëzve që mund të marrin pjesë në ankand dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për të ndihmuar sadopak Vukanin dhe prindërit e tij. Gjëja më e rëndësishme është t’i japim Vukanit një shans për një fëmijëri normale. Jeta e një fëmije është në rrezik dhe shpresoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim mbanë – ka thënë Draganoviq përmes Bujanovaçkes.

Ndër fanellat janë ato të firmosura personalisht nga sportistë të famshëm dhe përfaqësojnë një thesar të vërtetë për koleksionistët.

Ankandi zgjat deri më 17 maj ndërsa ofertën e plotë mund ta shihni KËTU.

Draganoviq shton se edhe më parë ka marrë pjesë në aksione humanitare dhe kështu ka ndihmuar familjet e rrezikuara, përfshirë Janjiqët nga Bujanoci.

– Kjo nuk është hera e parë që bëj një ankand fanellash. Unë edhe më herët me vetiniciativë kam ndërmarrë aktivitete të ngjajshme, sepse thjesht kam dashur të ndihmoj në çfarëdo mënyre, ndërsa më vonë kam marrë mbështetje nga organizata “Serbët për serbët”, kështu që të gjitha paratë i janë dërguar familjes nga fshati Vllasë dhe Janjiqëve nga Bujanoci – thotë Draganoviq.

Foto: Draganoviq me yllin e NBA-së, Boban Marjanoviç

Ky bujanocas në pesë vitet që ka qëndruar në Beograd ka pasur rastin të punojë me sportistë më të mirë, ndërsa aktualisht me futbollistët Millosh Degenek dhe Predrag Rajkoviq dhe me vaterpolistin Filip Filipoviq.

– Jam i rrethuar nga sportistë, si dhe bashkëpunoj me trajnerët e fitnesit të Klubit të basketbollit “Mega” dhe me atë të Kombëtares. Të gjitha ato njohje dhe miqësi u vunë në shërbim të qëllimit më human të mundshëm, për të ndihmuar Vukanin dhe dua t’i falënderoj të gjithë për kontributin e tyre – tha Draganoviq.

Sipas të dhënave të fundit, Vukani i nevojiten edhe 530 mijë euro të tjera për të marrë terapinë e nevojshme, e cila kushton 2.5 milionë.

Afati deri në të cilin paratë duhet të jenë në llogari është 18 maji, sepse në atë datë është planifikuar edhe shtrimi në spitalin e Budapestit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *