fbpx

SNEZHANA MISHIQ: NXËNËSIT NUK JANË TË INFORMUAR SE KUJT T’I DREJTOHEN KUR HASIN NË KURTHE TË DHUNËS DIGJITALE

 

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 13. maj 2022. Rreth 80 për qind e nxënësve të shkollave të mesme kanë përjetuar ose janë duke përjetuar ndonjë formë të dhunës së bashkëmoshatarëve, përfshirë edhe dhunën digjitale, tha për portalin tonë Snezhana Mishiq, pedagoge në shkollën e mesme “Sveti Sava” në Bujanoc.

Me paraqitjen e internetit dhe zhvillimin e rrjeteve sociale, përdorimi i teknologjisë digjitale mbart disa rreziqe ndërsa në pyetjen se nëse dhe sa janë të vetëdijshëm nxënësit e shkollave të mesme për këto rreziqe, pedagogia Mishiq thotë se nxënësit e njohin dhunën dhe rreziqet, por nuk dine si të pergjigjen dhe te mbrohen.

Keqpërdorimi i të dhënave personale dhe fotografive, shpërndarja apo manipulimi me fotografitë e tyre dhe disa përmbajtje të tjera private të nxënësve, sipas saj, janë vetëm disa nga format e manifestimit të dhunës digjitale.

– Të gjitha këto janë kurthe në të cilat nxënësit mund të bien pa vetëdije. Vlenë të thuhet se ata nuk e dinin se kujt t’i drejtohen kur bien në grackën e dhunës digjitale, prandaj vendosëm që përmes seminareve informative dhe edukimit nxënësit t’i ndërgjegjësojmë për mekanizmat mbrojtës ndaj abuzimeve të tilla- tha ajo.

Ajo shton se shkëmbimi i mesazheve apo fotove për të rinjtë mund të duket si flirtim apo argëtim i padëmshëm, por në një situatë ku dikush ekspozohet dhe abuzohet, mund të ketë pasoja të rënda sociale dhe ligjore.

– Një nxënës i ekspozuar ndaj dhunës digjitale ndihet në depresion, mendon se çfarë dhe si do të reagojnë prindërit dhe mjedisi, ndihet i kërcënuar dhe nuk di si të dalë nga një situatë e tillë. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë ta dinë se kujt t’i drejtohen, sepse shkolla ka mekanizma për të reaguar në një situatë të tillë – thekson Mishiq.

Punëtoritë informuese, përfshirja e organizatave të shoqërisë civile, trajnimi i mësuesve dhe diskutimi me nxënësit për rreziqet e mundshme në internet dhe pasojat e dhunës janë vetëm disa nga mekanizmat për mbrojtjen e nxënësve të shkollave të mesme.

– Është e rëndësishme që të gjithë të edukohen për këtë, si prindërit ashtu edhe fëmijët, sikur dhe mësuesit, sepse nuk duhet të jemi vëzhgues të heshtur ndaj asnjë lloj dhune. Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët të mos e marrin dhunën digjitale si shaka – përfundon pedagogia.




Leave a Reply

Your email address will not be published.