MUSTAFA I BËNË THIRRJE SAVIQIT PUBLIKIMIN E EMËRAVE TË TË GJITHË PERSONAVE TË PASIVIZUAR

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 19. maj 2022. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, i ka bërë thirrje kryeshefit të Stacionit policor të Bujanocit, Goran Saviq, që të bëjë të ditur emrat dhe mbiemrat dhe numrin e saktë të banorëve të komunës së Bujanocit, vendbanimi i të cilëve është pasivuar nga viti 2008 deri në vitin 2021. Bujanovaçke ka kërkuar nga Mustafa të komentojë të dhënat zyrtare të policisë se nga fillimi i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti janë pasivuar vetëm 84 qytetarë të kësaj komune, ndërsa liderët politikë shqiptarë flasin për “pasivizim masiv dhe selektiv” dhe “spastrim etnik administrativ” në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Mustafa sërish pohon se bëhet fjalë për rreth 6 mijë qytetarë të fshirë nga regjistri, duke iu referuar hulumtimit të organizatave joqeveritare.

Pasivizimi, thotë ai, pengon ushtrimin e të drejtave themelore kushtetuese dhe të njeriut nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar, siç është e drejta për dokumente personale.

“Organizatat joqeveritare dhe hulumtuesit profesionalë shkencorë kanë ardhur në numrin prej rreth 6000 adresash të pasivizuara, dhe në mungesë të transparencës së MPB-së për numrin e saktë të vendbanimeve të pasivizuara në tri komunat e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”), ka thënë Mustafa në një përgjigje me shkrim për Bujanovaçke.

Sipas tij, ato organizata dhe ekspertë kanë deklaruar se zbatimi i Ligjit për vendbanime dhe vendqëndrimin është selektiv dhe masiv, sepse fokusohet tek pjesëtarët e komunitetit shqiptar në raport me komunat tjera në Serbi.

“Në raportin e fundit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Komiteti i Helsinkit nga Beogradi e cilësoi këtë proces si “përdorim të mjeteve administrative për spastrim etnik”, tha presidenti i KKSH.

Ai po ashtu ka ftuar Saviqin të thotë se sipas cilës procedurë ligjore, gjegjësisht sipas cilit akt ligjor apo nënligjor, rregullore apo udhëzim janë kryer të gjitha pasivimet e vendbanimit dhe pse ata persona nuk mund ta ushtrojnë të drejtën për letërnjoftim dhe pasaportë.

Ai përsëriti se pasivizimi i vendbanimit është një proces antikushtetues në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

“Ne besojmë se po përdoret për një qërim hesapesh politike me pjesëtarët e komunitetit shqiptar”, tha Mustafa.

Ai po ashtu ka theksuar se nuk ka ndërmend të hyjë në ndonjë diskutim mediatik me shefin e Stacionit policor në Bujanoc, por as me shefat e policisë në Preshevë apo Medvegjë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *