fbpx

GJYKATA ADMINISTRATIVE REFUZOI ANKESËN E KOALICIONIT SHQIPTAR, TËRNOCI SËRISH NË ZGJEDHJE

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 20. maj 2022. Banorët e Tërnocit, fshat ky në Komunën e Bujanocit, do të votojnë për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare, ka vendosur Gjykata Administrative në Nish. Gjykata e hodhi poshtë ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës kundër vendimit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, me të cilin anuloheshin zgjedhjet në vendvotimin numër 6 në shkollën “Muharrem Kadriu”.

Në aktgjykim, i cili është publikuar të premten, ndër të tjera thuhet se në bazë të arsyeve të deklaruara, me aktvendimin e ankimuar nuk ka shkelje të ligjit në dëm të ankuesit.

Sipas Bujanovaçkes, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ishte “afër vendimit” për bojkotimin e zgjedhjeve në Tërnoc, në rast të refuzimit të ankesës së tyre.

Në këtë qendër votimi, zgjedhjet u përsëritën edhe një herë më 28 prill, kur Koalicioni shqiptar i kryesuar nga Shaip Kamberi fitoi 677 vota, të mjaftueshme për një mandat deputeti.

Deri te përsëritja e parë e zgjedhjeve erdhi pas ankimimit të listës së Kamberit, e cila nuk kaloi censusin në zgjedhjet e 3 prillit.

Mirëpo, anulimin e zgjedhjeve të përsëritura, më pas e kërkoi Partia Socialiste e Serbisë (PSS), e cila humbi një mandat me hyrjen e koalicionit shqiptar në Kuvend, duke e bazuar ankesën e saj në parregullsi të shumta.

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) e hodhi poshtë ankesën, por ajo u miratua nga KRZ-ja më 9 maj dhe nxori vendimin për anulimin e zgjedhjeve, të cilin koalicioni shqiptar e apeloi në gjykatë.

Vendimi i gjykatës e vërtetoi vendimin e KRZ-së, që qytetarët e Tërnocit të dalin në zgjedhje për të tretën herë brenda dy muajsh, ndërsa datën e saktë të zgjedhjeve do ta përcaktojë KRZ-ja.




Leave a Reply

Your email address will not be published.