BUJANOCI ZERO PIKË! KOMUNA E FUNDIT NË SERBI PËR NGA TRANSPARENCA

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25. maj 2022.– Komuna e Bujanocit është ende ndër qeveritë lokale më jotransparente në Serbi, sipas raportit të fundit të LTI të organizatës Transparency Serbia.
Në këtë hulumtim, Bujanoci është vlerësuar me zero (0), në shumicën e 95 indikatorëve (pyetjeve) që kanë të bëjnë me punën transparente, dhe kështu ka ndarë vendin e 140-të me komunën e Kniqit dhe 28 pikë indeksit, në listën e 145 qyteteve dhe komunave të vendit. E fundit në këtë listë është Presheva me vetëm 9 pikë nga maksimumi 100.

Sa i përket transparencës në shpenzimin e parave të buxhetit, vendimmarrjes, shfrytëzimit të pronës komunale dhe shpërndarjes së parave në konkurse, Bujanoci ka avancuar vetëm 4 vende për një vit, që kur vetëqeverisja lokale është renditur e fundit në mesin e 145 qyteteve dhe komunave në vend.

Në atë kohë, Sali Salihi, shefi i kabinetit të kryetarit Nagip Arifi, rezultatin e dëshpëruar ia atribuoi “qeverisë së mëparshme”, përkatësisht partnerëve të tanishëm të koalicionit, të cilët megjithatë kishin një rezultat të shkëlqyer në vitin 2017 dhe ishin në vendin e 10-të sa i përket transparencës.

Në raportin e fundit, Komuna e Bujanocit sërish nuk ka fituar asnjë pikë për transparencën e buxhetit, për transparencën e kompanive dhe enteve publike ka marrë vetëm 2 pikë nga maksimumi 18, ndërsa për Kuvendin dhe Këshillin Komunal 6 pikë nga maksimumi 16.

Progres është bërë në fushën e prokurimit publik (SHIH hartën).

– Jotransparenca në punën e një komune apo të ndonjë qeverie tjetër ofron mundësi që korrupsioni të mbetet i fshehur – i tha më herët Bujanovaçkes Nemanja Nenadiq, drejtor programi i organizatës Transparency Serbia, duke komentuar rezultatet e dobëta të Komunës së Bujanocit.

Me të gjeturat e Transparency Serbia përkojnë edhe rezultatet e anketës së portalit tonë, që tregon se shumica dërrmuese e qytetarëve (93 për qind) besojnë se vetëqeverisja lokale në Bujanoc nuk është transparente.

Sidomos në fushën e buxhetit dhe investimeve, gjegjësisht në mënyrën se si shpenzohen paratë publike.

Në raportin e fundit, komuna e Preshevës bindshëm është në vendin e fundit me vetëm 9 pikë LTI, ndërsa vetëqeverisja lokale më e hapur në rrethin e Pçinjës është Vranja në vendin e nëntë.

Qeveritë lokale më transparente në vitin 2022 janë Novi Pazari, Sombori dhe Sokobanja.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *