Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 31. maj 2022. – Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka dorëzuar të hënën kundërshtim për zgjedhjet parlamentare të mbajtura për herë të tretë, më 27 maj në Tërnoc, ka konfirmuar për portalin tonë kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), Fejzi Beqiri. Bujanovaçke mëson se koalicioni shqiptar kërkon anulimin e zgjedhjeve për shkak se i është lejuar të votojë një person që nuk ka dokumente personale.
Thuhet se nënshkrimi i votuesit tregon se ai ka votuar ndërsa nuk e ka pasur këtë të drejtë sepse ka votuar pa dokument.
Për të njëjtën arsye, ishin anuluar zgjedhjet e 28 prillit, pas kundërshtimit të ushtruar nga Partia socialiste e Serbisë (PPS).
Kryetari i KKZ-së Fejzi Beqiri tha për portalin tonë se përmbajtja e ankesës nuk mund të bëhet publike.
– Seanca e KKZ-së, e cila do të mbahet brenda afatit ligjor për të vendosur mbi këtë ankesë, do të jetë e hapur për publikun. Deri atëherë dokumenti nuk mund të publikohet – thotë Beqiri.
KKZ-ja ka afat deri të enjten (2 qershor) për të marrë vendim, përkatësisht 72 orë nga paraqitja e ankesës.
Sipas Beqirit, me shumë gjasa atë ditë do të mbahet seanca e komisionit zgjedhor.
Në zgjedhjet e 27 majit, në vendvotimin numër 6 në Tërnoc, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 598 vota, që është 12 më pak se numri i votave të nevojshme për mandatin e deputetit.
Këto ishin zgjedhjet e treta në këtë qendër votimi në më pak se dy muaj.
Zgjedhjet e 3 prillit u anuluan pas ankimimit të koalicionit shqiptar në Gjykatën Administrative ndërkaq zgjedhjet e përsëritura të 28 prillit u anuluan pas ankesës së PSS-së.