fbpx

TË RINJTË NUK KANË NJOHURI SE ME ÇKA MERRET TRUPI KOORDINUES: NDANË BURSA

 

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 08 qershor 2022.(Foto: Arkivi I TK) – Më shumë se 60 për qind e të rinjve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja nuk e dinin përgjigjen në pyetjen se me çka merret Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për këto tri komuna, ndërsa 24 për qind e të rinjve thanë se ky organ shpërndan bursa për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, sipas hulumtimit të realizuar nga Këshilli për të drejtat e njeriut në Bujanoc.

Një numër i barabartë i serbëve, shqiptarëve dhe romëve nuk kishin informacion bazë për punën e Trupit Koordinues.

Gjatë vlerësimit të punës së këtij organi qeveritar, 18 për qind e të anketuarve kanë thënë se pjesërisht janë të njoftuar me punën e këtij organi, ndërsa 14 për qind e të rinjve e njohin fushën e veprimit dhe kompetencat e këtij organi.

Rreth 68 për qind e të rinjve nuk e dinin përgjigjen e pyetjes “Çfarë bën ky organ i Qeverisë së Republikës së Serbisë?”, kurse 24 për qind e tyre e kanë identifikuar këtë organ si organ që “shpërndan bursa për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë”.

Një pjesë e hulumtimit ka përfshirë edhe pyetjet lidhur me pozitën e të rinjve në këto komuna.

Rezultatet tregojnë se të rinjtë nga të tri grupet etnike fajësojnë qeverinë republikane (54%) dhe vetëqeverisjen lokale (39%) për pozitën e tyre të dobët, ndërsa 7% e të rinjve fajësojnë bashkësinë ndërkombëtare për këtë.

Shumica e të rinjve shqiptarë (72%) fajësojnë pushtetin republikan si fajtorin kryesor, ndërsa të rinjtë nga komuniteti serb në Bujanoc (69%) dhe Preshevë (36%) besojnë se pushteti lokal është më përgjegjës për pozitën e tyre të dobët.

Hulumtimi i KDNJ-ës përfshiu 504 të rinj të anketuar, të moshës 15 deri në 30 vjeç, nga komunitetet serbe, shqiptare dhe rome.

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Lugina e Preshevës në prizmin e dialogut Serbi-Kosovë”, për të cilin Bujanovaçke tashmë ka shkruar.

Kujtojmë se Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është formuar në fund të vitit 2000, si organ administrativ-ekzekutiv që koordinon aktivitetet e shtetit, organeve kompetente shtetërore dhe shërbimet publike, pushtetet vendore dhe qytetarët e këtyre tri komunave.

Katër prioritetet kryesore të këtij organi janë arsimi, çështjet sociale, zhvillimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve të shoqërisë civile.




Leave a Reply

Your email address will not be published.