KRZ: NUK KA VOTUAR TËRNOCASI PA DOKUMENTE PERSONALE, ËSHTË EVIDENTUAR MË VONË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 11. qershor 2022. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) e hodhi poshtë kundërshtimin e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës sepe, ndër të tjera, konstatoi se në zgjedhjet e përsëritura parlamentare në Tërnoc, të mbajura më 27 maj, asnjë qytetar nuk ka votuar pa dokumente personale, siç pretendojnë në koalicionin shqiptar, porse evidentimi i tij është bërë më vonë.

Sipas aktvendimit, me të cilin refuzohet kundërshtimi, 15 anëtarë të këshillit zgjedhor dhe zëvendësit e tyre kanë dorëzuar në KQZ deklarata në të cilat me përgjegjësi të plotë penale dhe materiale pretendojnë se zgjedhësi me numrin 868 nuk ka votuar.

Ata deklaruan se pas përfundimit të votimit është konstatuar se votuesi 868 nuk ishte i regjistruar dhe se nën atë numër nuk kishte nënshkrime dhe se i kushtuan vëmendje të veçantë për shkak se zgjedhjet e mëparshme të mbajtura më 28 prill ishin anuluar për këtë arsye.

Kujtojmë, se atëherë zgjedhjet u anuluan me kundërshtimin e PSS-së, pasi u konstatua se i njëjti votues, 868, ishte i regjistruar për të votuar ndërsa nuk e gëzonte këtë të drejtë, pasi nuk kishte dokumente personale.

Në vendimin e KQZ-së shtohet se pretendimet e 15 anëtarëve dhe zëvendës anëtarëve të këshillit të votimit janë konfirmuar edhe nga anëtari i KRZ-së Sërgjan Zoraja, i cili ka qenë i pranishëm në qendrën e votimit numër 6, gjatë votimit të përsëritur më 27 maj.

KQZ-ja konstatoi gjithashtu faktin se në të dy procesverbalet e punës së komisionit të vendvotimit është konstatuar se numri i votuesve që kanë dalë në qendrën e votimit është 618, ndërsa numri i zgjedhësve të regjistruar është rritur për një (619) në ekstraktin e regjistrit zgjedhor , i cili i është dërguar KRZ, krahas kundërshtimit të Koalicionit shqiptar.

Për këtë shkak, siç thuhet, komisioni ka konstatuar se këshilli zgjedhor nuk i ka mundësuar votuesit të votojë pa dokumente personale, por se i ka përcaktuar drejtë dhe saktë rezultatet e votimit.

Gjithashtu është konstatuar se nuk ka pasur shkelje të procedurës së votimit jashtë qendrës së votimit, siç pretendohet në ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.

Koalicioni njoftoi se do ta apelojë vendimin e KRZ në Gjykatën Administrative.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *