fbpx

PARLAMENTI EUROPIAN I BRENGOSUR PËR VARFËRINË DHE BLERJEN E VOTAVE NË JUG TË SERBISË

Bujanoc, 14. qershor 2022. (Foto: Slobodna reč) – Situata socio-ekonomike në jug të Serbisë është shqetësuese, thuhet në rezolutën për Serbinë, e cila është miratuar nga deputetët e Parlamentit Evropian (PE) në Komisionin për Punë të Jashtme (AFET). Nga Qeveria e Serbisë kërkohet që të hetojë pretendimet për keqpërdorim të ndihmës sociale si instrument presioni ndaj votuesve, veçanërisht pjesëtarëve të pakicës kombëtare rome, dhe t’i përgjigjet në mënyrë adekuate sfidave të varfërisë dhe papunësisë në këtë pjesë të vendit.

Kjo është hera e parë që raporti i PE përmend varfërinë në jug të Serbisë dhe kushtëzimin e votuesve me asistencë sociale.

Teksti i dakorduar i rezolutës është miratuar të martën dhe do të prezantohet në seancën plenare të PE në Strasburg në korrik, transmeton Slobodna reč.

– AFET sapo miratoi raportin tim për Serbinë për vitin 2021 me shumicë të madhe: 50 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime – tha autori i raportit, raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik.

Edhe këtë vit deputetët paraqitën ndryshime në versionin origjinal të raportit të Vladimir Bilçik.

Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë që të japë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në rastet me interes të lartë publik.

Siç raportuam më herët, ndër ndryshimet në versionin origjinal ishin dy amendamente nga grupet parlamentare Liberalët (Ta Rinovojmë Evropën) si dhe Socialistët dhe Demokratët, të cilët theksojnë shqetësimin për situatën “veçanërisht në qytetin e Vranjës”, por në tekstin përfundimtar të amendamentit, kompromisi për Vranjën nuk është i veçantë, sepse ka probleme edhe në komunat tjera.

Megjithëse rezoluta e PE nuk është ligjërisht e detyrueshme, ajo ka ndikim të rëndësishëm politik dhe ushtron njëfarë presioni mbi vendimmarrësit.

Drafti bazë i rezolutës është shkruar nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili është nga grupi parlamentar i Partisë Popullore Evropiane, anëtar i asociuar i së cilës është Partia përparimtare serbe në pushtet.

Eurodeputetët shprehën shqetësimin për rastet dhe skandalet në Krushik, Telekom Srbija, Jovanjica dhe “rastet e reja të korrupsionit të nivelit të lartë, siç dëshmohet nga shkrimet e mediave investigative”.

Në Raport do të gjejë sërish vend rrënimi në Savamalla – PE përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë të gjitha rrethanat dhe të ndjekin penalisht të gjithë personat përgjegjës për prishjen e pronës private dhe thekson se u vu re se vetëm një oficer policie u dënua në këtë rast “të detyruar të marrë përgjegjësinë ekskluzive për gjithë rastin ”.

Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë dhe ndjekin penalisht të gjithë ata që kanë pasur lidhje të dyshuara me grupin kriminal të Velko Belivuk.

Shqetësimi është shprehur për akuzat e reja se “Darko Shariq ka udhëhequr një organizatë kriminale derisa ishte në burg në Serbi”.

Amendamenti shpreh gjithashtu shqetësimin për bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Ruse në sferën ushtarake dhe i bën thirrje Serbisë që të rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me Rusinë në politikën e mbrojtjes dhe të “pezullojë të gjithë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, siç është “qendra humanitare rajonale nëë Nish“.

Teksti i harmonizuar i rezolutës i kërkon pa mëdyshje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe në atë mënyrë të përcaktojë nëse ajo është në rrugën evropiane apo jo. PE është veçanërisht i shqetësuar për narrativën e dezinformatave që burojnë nga Kremlini dhe që shpërndahen përmes Sputnik Serbija dhe aktorëve të tjerë vendas.

“Autoriteteve serbe u kërkohet të respektojnë sanksionet e BE-së dhe të marrin masa ndaj përhapjes së lajmeve të rreme mga Russia Today dhe Sputnik. PE është thellësisht i shqetësuar se ndër burimet e dezinformatave janë gazetat tabloide të financuara apo të mbështetura nga Qeveria, si dhe disa kanale televizive me mbulim kombëtar”, thuhet në tekstin e rezolutës që kaloi sot AFET.

Eurodeputetët dënuan praninë në rritje të kriminelëve të dënuar të luftës në hapësirën mediatike të përdorur për të përhapur urrejtje dhe intolerancë ndaj pakicave kombëtare në Serbi, duke përmendur shembuj të kriminelëve të luftës si Veselin Shlivançanin, Dragoljub Ojdaniq dhe Nikola Shainoviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published.