Bujanoc, 21. qershor 2022. Pavarësisht përpjekjeve për të parandaluar praninë e shqiptarëve në parlamentin serb, Partia për veprimit demokratik (PVD) dhe partnerët e saj të koalicionit do të vazhdojnë betejën zgjedhore në qendrën e votimit nr.6 në Tërnoc, ku të enjten (23 qershor) do të votojnë për herë të katërt, njofton PVD.
Në këtë parti theksojnë se janë të vetëdijshëm për lodhjen e 1089 votuesve që votojnë në këtë vendvotim, në shkollën lokale, por i ftojnë ata që të enjten të vijnë për të “treguar forcën politike të shqiptarëve”, ndërsa përfaqësuesit e partisë do të bisedojnë me votuesit sot në orën 19:00 për, siç thuhet, mbi rëndësinë e pjesëmarrjes masive më 23 qershor.
Në votimin e tretë, Koalicionit të Shqiptarëve i munguan 12 vota për të hyrë në parlament.
Kryetari i partisë dhe kandidati për deputet i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, thekson rëndësinë e prezencës së shqiptarëve në Kuvend sepse, siç thotë ai, priten vendime të rëndësishme në të gjithë Ballkanin Perëndimor që duhet të çojnë të gjithë rajonin në integrimet EuroAtlantike.
“Luftën kundër diskriminimit shtetëror, e cila po përfshin të gjitha sferat e jetës dhe po e ngushton hapësirën për një perspektivë më të mirë, duhet vazhduar me të gjitha mjetet politike, prandaj edhe lufta për përfaqësim dinjitoz parlamentar mbetet një nga synimet kryesore të veprimit tonë politik“, thotë Kamberi
Partia që ai drejton thekson se, përkundër presionit nga Beogradi, Tërnoci me votat e tij do ta sigurojë mandatin e përfaqësuesit të Shqiptarëve.
“Mbështetja që morëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, si nga Qeveria ashtu edhe nga opozita, nga Republika e Shqipërisë dhe liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, janë dëshmia më e mirë se rruga jonë është e drejtë dhe do të shërbejë si nxitje për çdo votues në qendrën e votimit numër 6”, thonë në PVD.