ENDE NUK KA ASGJË NGA QEVERIA E KOSOVËS PËR DY MILIONËT E PREMTUAR, AS NUK DIHET SE KUR DO TË REALIZIOHEN

Shkruan: N. Stevanoviq

Ragmi Mustafa

Bujanoc, 11. korrik 2022. Ende është duke u pritur për 2 milionë euro që ka ndarë Qeveria e Kosovës në buxhetin e këtij viti për komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Ragmi Mustafa nuk ka mundur të specifikojë se kur do të transferohen këto mjete.

Siç tha ai për Bujanovaçke, ende po diskutohet për modalitetin e përzgjedhjes së projekteve.

– Konsultimet për qasjen strategjike dhe programore, përkatësisht modalitetin e përzgjedhjes dhe mbështetjes së projekteve sipas prioriteteve, tashmë janë drejt fundit. Mirëpo, disa projekte që konsideroheshin urgjente tashmë janë mbështetur – ka thënë Mustafa në një përgjigje me shkrim për portalin tonë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të formojë një komision që do të përcaktojë modelet për mbështetjen e projekteve.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës e ka njoftuar KKSH-ën se, varësisht nga projektet, mund të dyfishojë linjën buxhetore për mbështetjen e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Preshevës, Shqirpim Arifi, nuk është optimist për kalimin në llogaritë e komunave dhe fillimin e realizimit të projekteve.

– Situata aktuale, përveç se është shqetësuese, vështirëson edhe realizimin e projekteve prej 2 milionë eurosh për pesë muajt e mbetur të vitit. Për shkak të vonesës në transferimin e mjeteve, do të jetë e vështirë të realizohen projektet këtë vit, kështu që gjithçka do të shtyhet për vitin e ardhshëm, gjë që i dëshpëron qytetarët – tha Arifi.

Në Preshevë presin 950.000 euro për ndërtimin e parkut të qytetit (340.000 euro), renovimin e shkollës në fshatin Rahovicë (340.000) dhe ujësjellësit në fshatin Norçë (270.000).

Se për çfarë do të shpenzojë Bujanoci pjesën e vet të parave nga Prishtina, Sali Salihi, shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, nuk është përgjigjur deri në publikimin e tekstit.

Në fillim të vitit, kryetari i Këshillit lokal të Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, akuzoi kryetarin e komunës, Nagip Arifi dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KSHK), Ragmi Mustafa, se kanë “rrëmbyer 2 milionë euro” ndihma që qeveria e Kosovës kishte përgatitur për Bujanocin.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar u njoftua se qeveria në Prishtinë kishte paraparë 2 milionë euro ndihmë për komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në buxhetin e vitit 2022.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *