fbpx

ARIFI: NGA KOSOVA MORËM PËLQIMIN PËR TË MARRË PJESË NË REGJISTRIM

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25. korrik 2022. Kryetari i Komunës së Bujanocit dhe lideri i Partisë Demokratike (PD) Nagip Arifi thotë se Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

“Kemi pasur konsultime me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila ka dhënë dritën jeshile për pjesëmarrje në regjistrim”, tha Arifi.

Bujanovaçke më herët ka njoftuar se të gjitha partitë lokale kanë nënshkruar një deklaratë për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë, në tetorin e këtij viti.

– Ky qëndrim është rezultat i katër takimeve të mbajtura në kabinetin tim me të gjithë përfaqësuesit politikë shqiptarë, si dhe konsultimeve të vazhdueshme me misionin e OSBE-së në Serbi, që është edhe garanci për një proces të rregullt dhe të suksesshëm. Me përmbushjen e kërkesave tona lidhur me ndryshimet e kushteve të regjistrimit, të cilat tashmë janë dukshëm më të mira se ato të vitit 2011, janë plotësuar kushtet për t’u bërë pjesë e këtij procesi – njoftoi Arifi.

Ai ftoi qytetarët që duan të jenë regjistrues të aplikojnë deri më 5 gusht.

Në fund të muajit maj në Bujanoc është mbajtur takim me kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifi, përfaqësuesin e Qeverisë së Serbisë dhe shefin e misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Bratu, të cilët kanë theksuar se shqiptarët nuk do të kenë asnjë arsye për të mos marrë pjesë në regjistrim.

Më pas u njoftua se qytetarët nuk do të kenë nevojë për dokumente personale për t’u regjistruar.

Komuniteti shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë bojkotoi regjistrimin e vitit 2011.

Për këtë arsye, në vitin 2015, ekspertët e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë një vlerësim të numrit të banorëve në tri komuna, sipas të cilit komuna e Bujanocit në vitin e regjistrimit ka pasur 38.300 banorë, komuna e Preshevës 29.600 dhe komuna e Medvegjës 7.442 banorë.




Leave a Reply

Your email address will not be published.